Erë e fortë dhe dallgë në Gjirin e Durrësit, tragetet rinisin lundrimet pas mesnate

Nga A2 CNN
21 Tetor 2023, 12:37 | Aktualitet
Erë e fortë dhe dallgë në Gjirin e Durrësit, tragetet

Temperaturat e larta, era e jugut dhe dallgët e Adriatikut vijojnë të jenë të pranishme në Gjirin e Durrësit, ndërkohë që shëtitorja “Taulantia” dhe e plazhit janë mbipopulluar nga leshteriku.

Ndërkohë lundrimet e trageteve dhe aktiviteti detar vijojnë të jenë të pezulluara dhe gjatë ditës së sotme.

Kapiteneria e portit të Durrësit bën me dije se situata detare vazhdon të jetë e rënduar dhe deti regjistron forcën 6-7 në det të hapur. Tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas pritet që të rinisin lundrimet natën pas mesnatës së të shtunës, pas një pezullimi të përkohshëm 24 orësh.

Edhe anijet e peshkimit parashikohet të dalin për gjueti në det të dielën pas qetësimit të motit në det të hapur.

Ndërkaq dallgët e forta kanë nxjerrë në breg përgjatë shëtitores bregdetare dhe plazhit edhe mbetje të shumta plastike dhe urbane, të cilat pritet të hiqen nga ndërmarrjet e pastrimit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu