Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, mesditën e së hënës, deklaroi se Edi Rama po merret me vajzën e tij sepse i ka përmendur skandalin e tenderave të thjeshtrës.
“Keqësia e Edi Ramës, hakmarrësit primitiv dhe këtyre larove të tij, kulmon kur në tre ose katër raste shkruajnë se Abi Malltezi mori dividentin dhe Argita Malltezi nuk e deklaroi në të ardhurat e veta në ILDKP. Tani, këtyre individëve që përdhosin ligjin dhe drejtësinë, u them kaq: jeni ose skllevër të Edi Ramës, ose injorantë në ekstrem. Argita Malltezi ka deklaruar pasuritë e veta edhe dy vite para se ta detyronte ligji, kur i ka deklaruar i ati; Argita Malltezi ka deklaruar çdo vit, por ligji i ILDKP nuk detyron lidhjen e lidhjes; Argita Malltezi nuk deklaron pasuritë sepse është funksionare, deklaron pasuritë për shkak të të atit; Jamarbër Malltezi nuk është subjekt i ILDKP dhe asaj i është thënë nga drejtues të ILDKP se nuk deklarohet lidhja e lidhjes.
Këta përdhosës të ligjit, për të akuzuar vajzën time për llogari të Edi Ramës, nuk i referohen ligjit të ILDKP, por ligjit të bashkësisë familjare, por edhe atë e interpretojnë sipas oreksit të Edi Ramës. Sepse edhe ai ligj e përjashton”, deklaroi Berisha.
“Ai ligj thotë se të gjitha janë bashkë, përveç pasurisë që vjen dhe fitohet nga trashëgimia. Argita Malltezi nuk ka asnjë qindarkë nga trashëgimia e bashkëshortit. Trashëgimia e bashkëshortit ka qenë Begeja, gjyshja e tij. Tani i kthehem Edi Ramës. Edi Rama, Argita Malltezi, që nga vitet kur ka marrë rrogën e parë si pedagoge e gjer më sot, nuk ka fituar kurrë si kontraktore apo nënkontraktore nga sektori shtetëror apo publik. Jo, sepse këtë e ndalon ligji, e ndalon Kushtetuta dhe ajo është njeri i ligjit. Kurse, si hakmarrje pse unë të kam përmendur thjeshtrën ty, Edit dhe Lindës u them sa merreni me vajzën time, këshillojeni vajzën e shtëpisë. Sqarojeni se Kushtetuta nuk e lejon të marrë pjesë në tendera as direkt dhe as indirekt. Dhe ajo si shushunjë ka thithur gjakun e të varfërve shqiptarë duke marrë pjesë në dhjetëra e qindra tendera. Duke përdorur pushtetin e thjeshtrit për t’i fituar ato fët e fët. Ia them këtu Edi Ramës se do lësh pushtetin për shkak të saj. Se mandati yt është djegur dhe se je i pashpresë”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)