Dy incidente kritike të njëpasnjëshme kanë vendosur në alarm autoritetet në Irlandën e Veriut, pasi të dhënat e rreth 10,000 oficerëve kanë rënë në duart e gabuara.
Shërbimi Policor i Irlandës së Veriut ishte duke hetuar rastin e parë, por një shkelje e dytë për cenimin e të dhënave sensitive është shënuar dhe këtë herë ka të bëjë me dokumente të vjedhura dhe një laptop.
Dokumentet, ku përfshihet një fletë që përmban emrat e më shumë se 200 oficerëve dhe personelit në shërbim, besohet se është marrë nga një automjet privat më 6 korrik. Një kompjuter portativ dhe radio për policinë mendohet se janë vjedhur gjithashtu në incidentin që ka ndodhur në Neëtoënabbey, pranë Belfastit.
Incidenti i radhës vjen pak orë pasi PSNI deklaroi zbulimin e të dhënave sensitive të 10,000 oficerëve të forcës dhe stafit plotësues.
Ndër informacionet e zbuluara përfshiheshin mbiemri, inicialet, grada ose vendndodhja e punës dhe departamentet e të gjithë stafit të PSNI-së, por nuk përfshinte adresat private të oficerëve dhe civilëve.
Shefi i policit të Irlandës së Veriut, Simon Byrne është kthyer nga pushimet për t'u përballur me pyetjet mbi dy shkeljet, ndërsa zv/shefi i policisë Chris Todd tha: "Ne kemi kontaktuar oficerët dhe stafin në fjalë për t'i vënë në dijeni për incidentin për zbulimin e të dhënave”.
Të dhënat e zbuluara janë jashtëzakonisht të ndjeshme në Irlandën e Veriut, ku oficerët e policisë janë ende në shënjestër sporadike nga grupet disidente në sulme me bomba dhe me armë, pavarësisht nga një marrëveshje paqeje e vitit 1998 që i dha fund kryesisht tre dekadave të dhunës sektare. (A2 Televizion)