
Qeveria Rama ka zhvilluar një dialog konstruktiv me ekspertët e delegacionit të BE-së, sa i përket Amnistisë Fiskale. Kjo është ajo që bëri të ditur kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla paraditen e së hënës.
Në një dalje për gazetarët pas mbledhjes së Grupit të PS-së, Balla u shpreh se rekomandimet do të merren në konsideratë.
“Ka pasur një dialog konstruktiv me ekspertët e delegacionit dhe mendoj që jemi në një fazë drejt fundit që rekomandimet që vijnë nga ekspertë të BE-së të merren në konsideratë nga pala jonë.”
Po ashtu, Taulant Balla bëri të ditur se Partia Socialiste do ta ketë gati kallëzimin për dosjen e 21 janarit brenda kësaj jave.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kujtoi se PS ishte subjekti që thirri protestën e 21 janarit, e cila përfundoi me katër viktima, e për këtë arsye, shtoi ai, të majtët do vijojnë që të nxitin hetimin edhe nga SPAK.
“PS është subjekti që ka thirrur protestën e 21 janarit. Jemi palë e dëmtuar në atë ngjarje. Në dritën e provave të reja dhe bazuar në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës, është një dosje që gjendet ende në Prokurorinë e Tiranës. Ne vijojmë të kërkojmë për të nxitur hetimin nga SPAK, për ta hetuar. Në orët në vijim edhe PS do të ketë kallëzimin e vet. Brenda kësaj jave.” (A2 Televizion)