
I pyetur në lidhje me vdekjen e 27-vjeçarit të arrestuar, i cili ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror në QSUT, Manja tha se kjo çështje është në hetim dhe kërkoi që të pritet përfundimi i hetimeve.
“Për sa kohë është çështje që po hetohet, rezervoj të drejtën të flas. Janë të gjitha raste që janë audituar nga ana jonë, kemi përgjigje konkrete për të gjitha raste dhe familjarët e këtyre personave që kanë humbur jetën dhe shpreh ngushëllimet për këta persona. Si në jetën e përditshme dhe atje ndodhin aksidente në jetë njerëzore, por e rëndësishme është transparenca me familjarët dhe opinionin publik. Edhe për rastin konkret unë ju ftoj që në përfundim të hetimit, të merren materialet e mjekësisë ligjore dhe e gjithë procedura që është ndjekur”.
Sa i takon amnistisë së të burgosurve, ministri i Drejtësisë tha se u pengua nga zgjedhjet e 14 majit, që të mos kishte ndikim në proces.
“Është e vërtetë që kemi premtuar amnistinë në institucionet e vuajtje së dënimit. Procesi zgjedhor ishte një pengesë që duhej kaluar për të mos ndikuar në zgjedhjet e 14 majit. Kam ngritur grup pune në Drejtorinë e Burgjeve dhe Ministrinë e Drejtësisë. Dhe besoj që sapo të rakordojmë me Qeverinë e Kuvendin, do të kemi një projekt në institucionet tona të vuajtjes së dënimit. Se cila do të jetë përmasa e kësaj amnistie, këtë do ta vendosin ekspertët” (A2 Televizion)