
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje Bashkimit Europian që të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, tha se nisja e bisedimeve duhet të bëhet para përfundimit të këtij viti.
Deklarata erdhi gjatë dëshmisë në nënkomitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Europë, Energji dhe Ambient. Escobar nënvizoi se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka dyfishuar përkushtimin për të punuar me aleatë dhe partner që Ballkani Perëndimor të përparojë në rrugën europiane.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit thotë se kjo është një shtysë për kryerjen e reformave dhe forcim i rezistencës ndaj ndikimit rus dhe kinez në derën e Europës.
Gjatë dëshmisë, përmendi edhe rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se zgjidhja ideale do të ishte njohja reciproke. (A2 Televizion)