Filmi “The Odyssey” publikohet i plotë në X, mbi 2 milionë shikime përpara se të hiqej

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 12:56 | Showbiz

Filmi “The Odyssey” publikohet i plotë në X, mbi 2

Një kopje e paautorizuar e filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, u publikua në platformën X gjatë fundjavës, duke u parë nga miliona përdorues përpara se të hiqej.

Sipas Variety, një postim që përmbante një version me cilësi të lartë të filmit grumbulloi rreth 2,1 milionë shikime brenda vetëm dy orësh e gjysmë, përpara se llogaria që e publikoi të pezullohej. The Hollywood Reporter raportoi se një version tjetër, me cilësi më të ulët, u publikua të dielën dhe u hoq pas rreth dy orësh, pasi kishte arritur afro 50 000 shikime.

Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa përdorues ironizuan situatën duke shkruar se “i gjithë filmi 'The Odyssey' në një postim në X, ashtu siç e kishte menduar Nolan”, ndërsa të tjerë shprehën habinë që një version i plotë i filmit ishte bërë i disponueshëm në platformë.

Në një reagim zyrtar, studioja Universal Pictures deklaroi se sapo u informua për publikimin e paautorizuar, nisi menjëherë procedurat për heqjen e materialit.

“Ne e marrim shumë seriozisht shkeljen e të drejtave të autorit dhe do të ndjekim të gjitha rrugët e nevojshme ligjore për të mbrojtur përmbajtjen dhe pronësinë tonë intelektuale”, thuhet në deklaratën e studios.

Publikimi nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në rezultatet në kinema. Vetëm gjatë fundjavës së dytë të shfaqjes, “The Odyssey” arkëtoi 215 milionë $ në mbarë botën, duke e çuar totalin e të ardhurave globale në 640 milionë $.

Filmi, me protagonist Matt Damon dhe me pjesëmarrjen e shumë yjeve të kinemasë, është realizuar tërësisht me kamera IMAX 70mm, duke u bërë prodhimi i parë kinematografik i xhiruar plotësisht në këtë format, të cilin Christopher Nolan e ka promovuar si mënyrën ideale për ta përjetuar në ekranin e madh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos