1 javë “divorc”, kompania që krijoi ChatGPT rikthen CEO-n e shkarkuar pasi e zëvendësoi Mira Murati

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 08:25 | Teknologji

1 javë “divorc”, kompania që krijoi ChatGPT rikthen CEO-n

Rreth 1 javë ka zgjatur “divorci” mes OpenAI dhe CEO-s së shkarkuar Sam Altman. Kompania që krijoi ChatGPT ka rënë dakord për një marrëveshje që Altman, i cili u zëvendësua dy herë, nga shqiptarja Mira Murati dhe Emmett Shear, të kthehet si drejtor pasi bordi vendosi për largimin e tij.

Rikthimi i Altman vjen pas një rebelimi nga stafi i OpenAI, të cilët kërcënuan të gjithë me dorëheqje.

Shumica dërrmuese e tyre thanë se do të largoheshin dhe do të punonin për Microsoft nëse anëtarët e bordit nuk jepnin dorëheqjen dhe nëse Altman bashkë me aleatin e tij dhe presidentin e kompanisë Greg Brockman, i cili u largua në solidaritet me CEO-n, nuk do të riktheheshin në detyrë.

Dyshja pas largimit u punësuan nga Microsoft, investitori më i madh i OpenAI, në një projekt të ri kërkimor të inteligjencës artificiale (AI).

Brockman ishte entuziast për marrëveshjen duke thënë se ai "po i kthehej kodimit".

Ndërkohë Altman tha: "Unë e dua OpenAI dhe gjithçka që kam bërë gjatë ditëve të fundit ka qenë në shërbim të mbajtjes së këtij ekipi dhe misionit të tij së bashku. Kur vendosa t'i bashkohem Microsoft-it të dielën në mbrëmje, ishte e qartë se ishte rruga më e mirë për mua dhe ekipin. Me bordin e ri dhe me mbështetjen e Satya-s [CEO i Microsoft], mezi pres të kthehem në OpenAI dhe të ndërtoj partneritetin tonë të fortë me Microsoft."

Sakaq, marrëveshja e rikthimit "në parim" përfshin edhe instalimin e një bordi të ri drejtues.

Ai do të kryesohet nga ish-CEO i Salesforce dhe bashkëkrijuesi i Google Maps, Bret Taylor, dhe CEO i Quora, Adam D'Angelo.

Bordi, i cili funksionon mbi baza jofitimprurëse, ndryshe nga bordet konvencionale, do të përfshijë edhe ish-sekretarin e thesarit të SHBA-së dhe profesorin e ekonomisë, Larry Summers.

Në një postim në platformën X, OpenAI njoftoi: "Ne kemi arritur një marrëveshje në parim që Sam Altman të kthehet në OpenAI si CEO me një bord të ri, që përbëhet nga Bret Taylor (Kryetar), Larry Summers dhe Adam D'Angelo.

Bordi i OpenAI operon në një bazë jo komerciale, ndryshe nga kompania, pasi fillimisht u themelua si një organizatë jofitimprurëse me qëllimin e ndërtimit të AI të sigurt dhe të dobishme "për të mirën e njerëzimit".

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani