Inteligjenca artificiale evoluon si truri i njeriut

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2023, 08:34 | Teknologji

Inteligjenca artificiale evoluon si truri i njeriut

Një sistem inteligjence artificiale që riorganizohet në një mënyrë të ngjashme me trurin e njeriut, evoluon dhe zhvillon aftësi të reja për të kapërcyer kufizimet e vendosura nga jashtë, në një mënyrë të ngjashme me trurin e njeriut gjatë evolucionit. Sistemi i ri i krijuar nga grupi kërkimor i udhëhequr nga Jascha Achterberg dhe Danyal Akarca nga Universiteti i Kembrixhit dhe i përshkruar në “Nature Machine Intelligence” është një frymëzim për sistemet e ardhshme të IA dhe do të na lejojë të kuptojmë më mirë se si funksionon truri ynë.

Objektivi kryesor i sistemeve të inteligjencës artificiale është të përsërisë disa karakteristika të inteligjencës njerëzore, por ka shumë dallime midis botës digjitale dhe asaj natyrore, një prej të cilave është aftësia për të ndryshuar me kalimin e kohës.

Truri biologjik jo vetëm që është në gjendje të zgjidhë probleme komplekse, por e bën këtë duke përdorur shumë pak energji, një aftësi që është gjithashtu e mundur sepse është në gjendje të riorganizojnë lidhjet midis neuroneve.

Për t'u përpjekur të kuptojnë se si ndodh kjo, studiuesit kanë zhvilluar një lloj rrjeti nervor të aftë të transformohet në mënyrë autonome në përgjigje të asaj që kërkohet prej tij dhe të reduktojë sa më shumë konsumin e energjisë. Një objektiv shumë i ndryshëm nga ai i zakonshëm, për të cilin rrjetet nervore artificiale zakonisht kanë sasi të mëdha energjie në dispozicion.

Duke përdorur këto kufizime të reja, studiuesit amerikanë kanë treguar se nëse rrjeteve u kërkohet të zgjidhin probleme të vështira, për shembull gjetjen e rrugës më të shpejtë për të dalë nga një labirint, ndërsa në të njëjtën kohë reduktojnë energjinë e disponueshme, ato evoluojnë në mënyra të papritura. Nyjet e rrjetit, sikur të ishin neurone, priren të riorganizojnë lidhjet dhe të mësojnë të menaxhojnë një numër më të madh operacionesh sesa bëjnë zakonisht. Një zbulim që mund të përmirësojë dizajnin e sistemeve të reja të inteligjencës artificiale, por që, theksojnë studiuesit, hap gjithashtu shumë ide interesante për të kuptuar trurin tonë dhe pse ai është i strukturuar në format që shohim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos