Me qindra punonjës të OpenAI kanë kërkuar që bordi i kompanisë që krijoi ChatGPT të shkarkohet. Po ashtu, ata kanë kërcënuar se edhe vetë do të japin dorëheqjen pas shkarkimit të CEO-s, Sam Altman.
Në një letër të siguruar nga CNN, më shumë se 500 punonjës të kompanisë kanë akuzuar bordin drejtues të OpenAI se nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme që të justifikojnë largimin e ish-drejtuesit ekzekutiv që tashmë është punësuar nga Microsoft.
“Veprimet tuaja e kanë bërë të qartë që ju nuk jeni në gjendje që të mbikëqyrni OpenAI”, shkruajnë punonjësit në letrën e tyre.
“Ne nuk punojmë dot me njerëz që u mungon kompetenca, gjykimi dhe kujdesi për misionin dhe punonjësit tanë.”
Punonjësit paralajmëruan gjithashtu se do ta ndiqnin Altman në Microsoft, nëse bordi nuk jep dorëheqjen dhe rikthen Altman dhe Greg Brockman, ish-presidentin e OpenAI, i cili gjithashtu u hoq nga bordi të premten.
Midis nënshkruesve është Mira Murati, e cila deri të premten ishte emëruar nga bordi si pasardhëse e përkohshme e Altman, si dhe Ilya Sutskever, bashkëthemelues i OpenAI, kryeshkencëtar dhe anëtar i bordit, për të cilin ishte raportuar gjerësisht se kishte luajtur rol në shkarkimin e Altman.
Promovimi i shqiptares Mira Murati, e cila i la vendin CEO-s së përkohshëm Emmett Shear, u la pezull. (A2 Televizion)