Gjatë fluturimit, një takim i afërt me turbulencat mund të jetë një përvojë e frikshme apo edhe dramatike. Vetëm gjatë viti 2023, si pasojë e turbulencave ka pasur të vdekur dhe të lënduar. Më 31 gusht 2023, një aeroplan i Delta Airlines që ngrihej nga Milano dhe nisej për në Atlanta përjetoi turbulenca të forta gjatë afrimit në aeroportin Hartsfield - Jackson: 11 persona ishin plagosur dhe transportuar në spital menjëherë pas uljes; në mars 2023, një person vdiq nga lëndimet e marra gjatë turbulencave në një fluturim nga New Hampshire në Virxhinia. Dhe në të njëjtin muaj disa pasagjerë që udhëtonin midis Austin dhe Frankfurt u shtruan në spital pasi avioni i tyre u godit nga turbulenca të forta pranë Dulles, Virxhinia.
Për përfitimin e rehatisë dhe sigurisë, një start-up amerikan ka zhvilluar një strategji inovative për të anuluar efektet e turbulencave në aeroplanë.
“Turbulence Solution”, po përpiqet të zhvillojë një teknologji të aftë për të ndihmuar pilotët, pasagjerët dhe avionët të kalojnë nëpër turbulenca pa dëmtime.
Sistemi është në përgjithësi i thjeshtë, kur avioni ndeshet me një zonë të stuhishme, me shpërthime të forta ere që vijnë nga drejtime të ndryshme, ai modifikon gjeometrinë e krahëve në kohë reale për të ruajtur stabilitetin. Një seri sensorësh presioni të montuara në pjesën e jashtme të pajisjes zbulojnë forcën dhe drejtimin e rrymave dhe rregullojnë në mënyrë dinamike pozicionin e krahëve, timonit dhe parametrat e shtytjes së motorëve. Në këtë mënyrë piloti mund të mbajë rrugën e planifikuar dhe të shmangë devijimet, vonesat dhe konsumin shtesë të karburantit.
Sipas kompanisë, sistemi është në gjendje të zvogëlojë efektet e turbulencës me 80% dhe është veçanërisht i përshtatshëm për avionët e vegjël që janë më të ndjeshëm ndaj rrymave, por mund të përdoren edhe në avionë të mëdhenj komercialë. Teknologjia tashmë është testuar me sukses në avionë të vegjël turistikë. Objektivi i kompanisë tani është të vazhdojë kërkimin dhe të zgjerojë përdorimin e saj për ta bërë udhëtimin ajror më të rehatshëm dhe të sigurt. (A2 Televizion)