Pas më shumë se 6 vjetësh, Mira Murati largohet nga OpenAI

Nga A2 CNN
26 Shtator 2024, 08:43 | Teknologji

Pas më shumë se 6 vjetësh, Mira Murati largohet nga OpenAI

Pas një karriere prej më shumë se 6 vite, shqiptarja Mira Murati, drejtuese për teknologjinë në organizatën OpenAI, do të largohet nga firma e inteligjencës artificiale. Lajmin e dha vetë Murati përmes një shkrimi në rrjetin X.

“Po largohem sepse dua të krijoj hapësirën dhe kohën e duhur për të bërë eksplorimet e mia”, shkroi Murati në rrjetin X, raporton A2.

Ajo vlerësoi arritjet e fundit të OpenAI, përfshirë lançimet e teknologjive të reja që kanë ndryshuar mënyrën se si funksionon inteligjenca artificiale.

Murati vuri në dukje përkushtimin e ekipit të OpenAI dhe rolin e tij në ndërtimin e një të ardhmeje më të fuqishme për AI, duke premtuar gjithashtu mbështetjen e saj edhe pas largimit.

Duke reaguar në postimit të saj në rrjetin X, Shefi Ekzekutiv i firmës OpenAI, Sam Altman e falënderoi Mirën për kontributet e saj, shkruan A2.

“Do të shprehem më gjerësisht së shpejti për planet e tranzicionit, por tani, dua ta shfrytëzoj këtë moment vetëm për falënderim”, shkroi ai.

Pas më shumë se 6 vjetësh, Mira Murati largohet nga OpenAI

Largimi vjen pas një fushate që çoi në sigurimin e 6.5 miliardë dollarësh në investime për kompaninë që llogaritet të kenë një vlerë prej 150 miliardë dollarësh, në varësi të ndryshimit të strukturës së saj në një korporatë.

Nuk është e qartë nëse largimi i zonjës Murati do të ndikojë në fushatën për mbledhjen e fondeve. Një klauzolë në proces i lejon investitorët që të tërhiqen nga marrëveshja nëse kompania përballet me gjëra që mund të ketë ndikim negativ, shkruan më tej A2.

Për 6 vjet e gjysmë, Mira Murati ka qenë pjesë e organizatës që ka krijuar inteligjencën artificiale të njohur si ChatGPT, dhe shërbeu për një kohë të shkurtër si shefe e kompanisë kur bordi drejtues e largoi bashkëthemeluesin Sam Altman.

Sipas të dhënave të saj në rrjetin LinkedIn, zonja Murati mori rolin e nënpresidentes për inteligjencën artificiale të aplikuar në firmën OpenAi në dhjetor të vitit 2020 dhe u ngrit në detyrë duke marrë postin e shefes për teknologjinë në maj të vitit 2022. Më herët ajo ka punuar për një firmë të realitetit virtual dhe të shtuar si dhe për kompaninë Tesla.

Në rolin e drejtueses për teknologjinë, zonja Murati shfaqej shpesh përkrah zotit Altman si simboli i krijuesit të aplikacionit ChatGPT.

Vendimi i zonjës Murati është i fundit në një seri largimesh të drejtuesve të lartë të firmës OpenAI. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos