Raketa më e madhe e Europës po transportohet me një anije me “vela”

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 12:33 | Teknologji

Me katër vela të larta 37 metra secila, Canopée është një anije mallrash me dizajn të pazakontë dhe me një ngarkesë edhe më të pazakontë.

Velat kanë një sipërfaqe totale prej 1486 metrash katrorë dhe mund të lëvizin anijen që peshon 3150 tonë pa problem, ku era është e favorshme.

Edhe pse anija ka si burim kryesor energjie dy motorë me naftë, ajo tregon sadopak se si do të jetë lundrimi i të ardhmes. Velat, të quajtura “krahët e oqeanit” mund të përgjysmojnë harxhimin e karburantit. “Nëse era është optimale mund të arrijmë të kursejmë deri në 50-60%, por në disa raste mund të zbresë deri në 10-15%”, thotë Nils Joyeux, menaxheri drejtues i kompanisë franceze Alizés, që ka anijen në flotën e saj.

 

Raketa më e madhe e Europës po transportohet me një anije me
Anija kozmike Ariane 6

 

Anija është projektuar për të transportuar Ariane 6, një anije kozmike që parashikohet të ngrihet në hapësirë në mes të vitit 2024. Të ndërtuara në shtete të ndryshme të Europës, pjesët e anijes kozmike duhet të dërgohen në bazën e Agjencisë Hapësinore Europiane të Guaianën Franceze, një territor francez që ndodhet në verilindje të Amerikës së Jugut.

Canopée  e ka kryer tashmë udhëtimin e parë transatlantik, në nëntor, duke i dhënë “start” fazës finale të zhvillimit të programit Ariane 6.

Transporti detar është përgjegjës për 3% të emetimeve të gazrave të dëmshëm, edhe pse 90% e mallrave në botë transportohen në këtë mënyrë. Megjithatë, Organizata Ndërkombëtare Detare synon që deri në vitin 2050, ta çojë në zero këtë shifër.

E ndërtuar në Poloni, Canopée preku detin për herë të parë në vitin 2022 dhe udhëtimin e parë e kreu në verë të vitit pasues. Me kapacitet 5000 tonë, anija do të kryejë disa dhjetëra lundrime çdo vit nga disa porte europiane si ai i Bremenit, Roterdamin, Le Havres apo Bordosë, drejt Pariakabos në Guianën Franceze.

Sot në botë vetëm 31 anije të mëdha (me kapacitet mbi 4000 tonë) përdorin turbinat e erës për të lëvizur, por 20 të tjera pritet të shtohen në fund të këtij viti ose fillimin e vitit tjetër. Edhe pse teknologjia pas këtyre nismave është premtuese, ka ende kufizime që lënë ende hapësirë për karburantet tradicionale.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi