Ministria e Shëndetësisë konfirmon se në Shqipëri, nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe se janë rialokuar 1 mln dollarë vetëm për pajisjen e mjekëve me mjete mbrojtëse.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli sqaron se rasti i 46-vjeçarit nga Skrapari, nuk ka lidhje me koronavirusin, por humbja e jetës erdhi si pasojë komplikacioneve nga gripi stinor.
“Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar të Covid-19. Deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 13 raste të dyshuara, që kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator, si dhe histori udhëtimi me vendet ku ne kemi shpërthime komunitare, duke përfshirë edhe Italinë. Rastet që të gjitha kanë rezultuar negative nga testimi që është bërë në laboratorin e virologjisë të ISHP-së . E theksoj përsëri që diagonoza e plotë e Covid-19, kryhet në vend, pranë këtij laboratori, si i vetmi vend i certifikuar nga OBSH-ja. Pacienti nga Skrapari ka humbur jetën si rezultat i një insuficience respiratore nga një pneumoni bilaterale që ka konstatuar nga analizat që ka qenë i prekur dhe nga gripi stinor dhe nuk ka asnjë lidhje me koronavirusin”, u shpreh Rakacolli (A2 Televizion)