Autoritetet dezinfektojnë banesat e të infektuarve me koronavirus

Nga A2 CNN
25 Mars 2020, 16:45 | Aktualitet
Autoritetet dezinfektojnë banesat e të infektuarve me koronavirus

Numri i të infektuarve me koronavirus jo vetëm që po shtohet çdo ditë dhe po zgjeron hartën, por po shton edhe rastet në rrethet e vendit.

Korça, Durrësi, Vlora, Elbasani dhe Shkodra kanë shënuar shtim të rasteve, ndërsa në hartën e qyteteve që kanë shënuar persona të infektuar u shtua edhe Kruja. Autoritetet lokale kanë nisur dezinfektimin e pallateve dhe ambienteve para banesave të personave që u identifikuan pozitivë me COVID-19. Ky proces, në një farë mënyre, identifikon edhe zonat ku janë konstatuar persona të infektuar, çka rrit shkallën e vigjilencës edhe nga vetë qytetarët.

Gjithashtu, hetimi epidemiologjik ka nisur verifikimin e personave që kanë qenë pranë njerëzve të infektuar dhe të atyre që kanë patur kontakt të afërt. Fatmirësisht, deri më tani familjarët e të infektuarve kanë rezultuar negativë, gjithsesi atyre u është kërkuar të respektojnë vetizolimin për dy javë.

Ajo që vërehet në rrethe është fakti që me shtimin e numrit të personave të infektuar, rritet edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos dalë nga shtëpia dhe për të respektuar distancat dhe masat mbrojtëse, veçanërisht pranë marketeve apo tregjeve ushqimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos