
Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kështu ka reaguar deputeti demokrat Gazment Bardhi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pranoi kërkesën e demokratëve për mandatin e Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, duke rrëzuar Kuvendin. Në reagimin e tij Bardhi shprehet se “ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër te pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës”.
Reagimi i plotë:
Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputeti i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.
Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër te pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi!
Trajtim i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia! (A2 Televizion)