
Siguria e vendit nuk cenohet vetëm nga sulmet kibernetike dhe vendet armiqësore. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ngriti shqetësimin e ruajtjes së rendit kushtetues nga kriminaliteti dhe korrupsioni.
“Ka patur cenim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, u shpreh Begaj.
Për mbi 2 orë Begaj mbajti në zyrë krerët e institucioneve, por nuk ndali dot largimin e parakohshëm nga takimi të Kryeministrit Rama i cili la mbledhjen në mes për të vijuar me agjendën e vet.
Në fjalën e hapur për publikun, shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e Presidencës, Bajram Begaj kishte në fokus edhe çështjen e Kosovës duke dhënë zotimin për mbështetjen e saj.
“Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë”, theksoi presidenti.
Sulmet kibernetike nga Irani e bëjnë Presidentit ta quajë sfidues vitin 2022 sa i përket sigurisë kombëtare, ndërkohë që me shqetësim sheh edhe ndikimin e Luftës në Ukrainë.
“Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve”.
Konkluzionet e mbledhjes i bëri të ditura zyra e shtypit e Presidencës në një njoftim për mediat ku shprehej se Begaj kishte kërkuar rishikimin e politikave të sigurisë duke i mbështetur ato edhe financiarisht. (A2 Televizion)