Beteja për Fierin, zemrën e Myzeqesë

Nga A2 CNN
10 Maj 2023, 21:20 | Politikë

Qarku i Fierit është një ndër zonat strategjike në Shqipëri, jo vetëm sa i përket vendndodhjes, por edhe në sajë të burimeve të naftës, energjisë, apo terrenit të favorshëm për zhvillimin e bujqësisë.

Fieri është një ndër qarqet më të mëdha në vendin tonë me një sipërfaqe prej 1.887 km² dhe  një popullsi prej 278.413 banorë. Ky qark ndodhet në një pozitë gjeografike mjaft të favorshme, me dalje në detin Adriatik, e po ashtu kufizohet nga dy lumenj kryesor, Semani në veri dhe Vjosa në jug, në grykëderdhjet e të cilëve gjenden zona të mbrojtura si Parku Kombëtar i Karavastasë, ligatinat e Nartës dhe Vjosës.

Krahas natyrës së bukur nuk mungon as trashëgimia historike e arkeologjike, me parkun e kombëtar të Apolonisë apo qyteti antik i Bylisit. E mbi gjithçka Fieri ka një terren të përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, me fushën e Myzeqesë dhe Lushnjën që renditen ndër zonat me prodhimtarinë më të lartë në vend. Kësaj panorama i shtohen dhe zonat naftë mbajtëse apo burimet e shumta të energjisë.

Por, sa shfrytëzohen këto potenciale natyrore, bujqësore dhe industrial, dhe më e rëndësishmja sa arrijnë të përfitojnë banorët prej tyre?  Ne jemi ndalur në bashkinë e Fierit, për të pyetur vetë banorët për problemet me të cilat ato përballën dhe çfarë presin nga pushteti vendor?

Zgjedhjet janë koha kur çdo kandidat apo pushtetar bën premtime se gjithçka do të ndryshojë me projekte të shumta. Siç janë subvencionet për bujqësinë, punësim, rrugë të reja, shkolla e kopshte. A ka ndodhur kjo në Fier?

E teksa historia përsëritet çdo katër vite me të njëjtat kërkesa dhe ankesa nga qytetarët për premtime të pa mbajtura, në dorë e kanë ata, kryebashkiakët.

Në garë për Fierin janë Armando Subashi nga radhët e partisë socialiste që kërkon një mandat tjetër, Evdar Kodheli, nga koalicioni Berisha Meta “Bashkë fitojmë” dhe Eriselda Zotaj Çelaj nga grupimi i demokratëve të drejtuar nga Alibeaj.

Treguesit social-ekonomikë të Qarkut të Fierit – Buxheti, investimet dhe detyrimet e prapambetura

https://youtu.be/rcOSpzEqWdA

Synon mandatin e tretë në Fier, Subashi refuzon të jetë pjesë e “Debat” në A2CNN

Fieri është cilësuar hambari i socialistëve në çdo proces zgjedhor, lokal, por kryesisht parlamentar, pasi është një nga Qarqet që prodhon më shumë mandate deputetësh.

Bashkia e këtij qyteti historikisht është drejtuar nga socialistët. Rekordin me 3 mandate e ka pasur Baftjar Zeqo, 2003-2015. E që prej atij viti Bashkinë e drejton Armando Subashi, i cili në 14 maj është kandidat për mandatin e tretë, në gjurmët e Zeqos. Ndërkohë Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kandidon me Zotin Evdar Kodheli, ndërsa Partia Demokratike e Alibeajt me Zonjën, Eriselda Zotaj Çelaj.

Gjatë gjithë muajit të fushatës, në ciklin e emisioneve “Debat” për 12 qarqet e vendit, të gjithë kandidatët kanë marrë pjesë, në një formë ose një tjetër. i vetmi që deri më sot ka refuzuar të bëhet pjesë e programit të A2 CNN është kryebashkiaku i Fierit dhe kandidati i socialistëve atje, Armando Subashi. Pas një komunikimi prej një muaji të stafit të A2 CNN, Subashi tha se nuk do të bëhet pjesë e programit sot. Madje stafi i tij argumentoi se Subashi nuk dëshiron që të faktorizojë dy kandidatët e opozitës në këtë qytet.

Kodheli: Transport publik falas për 5 kategori! Subvencionim të shkollës së lartë për ‘ekselentët’

Premtimet për transport Publik falas nuk janë vetëm në Tiranë, por edhe në Fier nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Evdar Kodheli. Ndryshe nga Belind Këlliçi, Kodheli tha se nga transporti publik falas do të përfitojnë disa kategori, jo të gjithë qytetarët.

“Do ofrohet shërbim i transportit publik falas për nxënësit e shkollave. Kemi shumë banorë që na kanë ngritur shqetësimin që nxënësit kur ka shi apo erëra të forta, nuk shkojnë në shkolla. Edhe gjyshërit, si edhe për familjet në nevojë, invalidët, personat me aftësi ndryshe, transporti publik do jetë falas dhe me një fashë akoma më të gjerë të shërbimit”, tha Kodheli.

https://youtu.be/pS4SbWRFgN0

“Subashit i vlon dosja e inceneratorit”, kandidatja e Alibeajt: Demokratët e refuzojnë “Bashkë Fitojmë”

Kandidatja e Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për bashkinë e Fierit, Eriselda Çelaj kritikoi ashpër kryetarin aktual Armando Subashi , i cili po kërkon një mandat të tretë në zgjedhjet e 14 majit.

Në emisionin Debat në A2 CNN, Çelaj  u shpreh se Subashi nuk ka bërë asnjë investim në Fier gjatë 8 viteve drejtim, teksa refuzimin e tij për t’u përballur në një debat me kundërshtarët e cilësoi si një shmangie për shkak të dosjes së hapur për inceneratorin e Fierit.

Sipas saj në këtë incenerator nuk bëhet djegia e mbeturinave, por ato kapsulohen duke shkaktuar dëme dhe ndotje të madhe në mjedis.

“Subashi nuk ka bërë asnjë investim, ka realizuar vetëm fasadave. Jetesa në Fier është bërë e pamundur. Fasada na ka kushtuar shumë shtrenjtë. Në brendësi të qytetit e shikon se si është situata në të vërtetë. Nuk kanë ndërtuar një çerdhe në Fier, por fëmijët shkojnë me turne. Jeta në qytetin e Fierit përfundon në orën 18:00. Subashi nuk ka asnjë program. Ai e mori dhuratë bashkinë dhe nuk e respekton këtë qytet. Ai nuk mund të dalë në media, pasi ka disa situata që po i vlojnë me drejtësinë, siç është ai me inceneratorin. Inceneratori është në sekuestro-preventive, po ha paratë e qytetarëve pa bërë asgjë. Qytetarët kanë shprehu shqetësime në lidhje ndotjen. Aty nuk incenerohen mbetjet, por thjesht kapsulohen dhe ndotin mjedisin. Janë dy të burgosur në bashkinë Fier, kjo është arsyeja përse Subashi nuk del do në përballje”, u shpreh Çelaj.

https://youtu.be/ju7IFXFPH6M

Sfidat për Mallakastrën, banorët lëngojnë mbylljen e uzinës së naftës, të rinjtë ikin

Mallakastra njihet si zonë ku janë përqendruar bujqësia, blegtoria, por deri vonë vend të rëndësishëm zinte edhe Rafineria e Përpunimit të Thellë të Naftës, ku shumë banorë siguronin jetesën, derisa uzina u mbyll në vitin 2019.

Kjo situatë mbahet mend mirë nga banorët e Ballshit, të cilët thonë se tashmë në qytet kanë mbetur vetëm të moshuar, pasi të rinjtë janë larguar duke mos pasur asnjë mundësi punësimi.

Shumë prej banorëve nuk kanë dëshirë të flasin për ndërrimin e pushtetarëve vendorë, ndërsa të tjerë shpresojnë se gjërat mund të ndryshojnë.

Përballë asaj që shprehin banorët e Ballshit janë kandidatët, të cilët kanë vizionin e tyre për të qeverisur. Qerim Ismalaj, i PS, që synon një mandat të dytë, ka si objektiv vijim e punëve të nisura.

Edhe kandidati i PD, Agron Kapllanaj, i cili e ka drejtuar këtë bashki në vitet 2015-2019, e ka një plan për kultivuesit e ullirit dhe të rinjtë që duan të bëjnë biznes në mënyrë që të mos largohen.

Resmi Shanaj, i cili është dhe kandidati i tretë për Mallakastrën nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka gjithashtu qasjen e tij për bujqësinë.

Kujt do t’i besojnë qytetarët? Qerim Ismailaj thotë se e ka sprovuar veten. Ndërsa lidhur me vendim gjyqësor për dënimin e tij për fshehje të dënimit në Greqi, ai e sheh një përdorim politik nga ana e kundërshtarëve.

E teksa, socialisti Ismailaj ka këtë betejë, demokratët kanë luftën e tyre të brendshme. Këtë herë si kurrë më parë, Partia Demokratike ndahet edhe mes vetes duke kërkuar mbështetjen nga i njëjti elektorat.

Situatat politike ndryshojnë, ndërsa ajo që mbetet në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, janë kërkesat e përhershme, për ujë të pijshëm, rrugë, shkolla, kopshte, spitale dhe punësim.

https://youtu.be/BNrzSkXPeBs

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024