Bayern Munchen dhe Tottenham kanë arritur marrëveshjen për të transferuar kapitenin e Anglisë te skuadra gjermane.
Sipas një lajmi të “Athletic”, propozimi i kampionëve në fuqi të Bundesligës ka qenë më shumë se 100 milionë euro dhe të mërkurën është miratuar nga klubi londinez.
Tani i takon lojtarit të vendosë nëse do të transferohet në Gjermani apo do t’i qëndrojë besnik skuadrës së tij. Mësohet se ishte vetë 30-vjeçari i cili kishte kërkuar që situata të zgjidhej para nisjes së kampionatit anglez, këtë fundjavë, ku Tottenham luan të dielën kundër Brentford.
Më parë, është raportuar që Kane kishte rënë dakord për transferimin në Mynih, por në javët e fundit është parë se ai ka krijuar marrëdhënie të mirë me trajnerin e ri të Tottenham, Ange Postecoglu.
Por duke qenë se kontrata e tij skadon vitin e ardhshëm dhe deri tani nuk ka shprehur interes për ta rinovuar, klubi mund të ketë interes ta shesë këtë verë.
Kane ka shënuar 213 gola në 317 ndeshje për Tottenham dhe shihet nga drejtuesit e Bayern si zgjidhja ideale për qendrën e sulmit, pozicion të cilin klubi e ka pasur të vështirë të mbushë që prej largimit të Robert Lewandowskit. (A2 Televizion)