Conference League, Partizani kërkon historinë përballë Valmiera

Nga A2 CNN
10 Gusht 2023, 10:26 | Futboll
Conference League, Partizani kërkon historinë përballë

Partizani kërkon të shkruajë historinë. Të kuqtë janë gati të zbresin në fushë, për sfidën e parë përballë Valmieras, në turin e tretë të Conference League. 

Kampionët e Shqipërisë kërkojnë rezultat pozitiv në Letoni, pse jo edhe fitore. Synimi është që bileta në fazën play-off të sigurohet sa më shpejt.

Partizani zhvilloi edhe stërvitjen e fundit në Skonto Stadium në Riga. Impianti i kryeqytetit të Letonisë mund të përbëjë një avantazh për ekipin e Zekiç, pasi ajo nuk është fusha ku tradicionalisht luan Valmiera.

Trajneri i dha dorën e fundit përgatitjeve, me seancën që kishte më tepër karakter çlodhës. Gjithsesi, ajo i shërbeu stafit teknik për t’i dhënë fund dilemave për formacionin e mundshëm.

Në fund, Zekiç zgjodhi të hedhë në fushë të njëjtën skuadër që një javë më parë mposhti 4-1 Atletic Escaldes nga Andorra. Murataj, Mehmeti e Rrapaj në mesfushë, do të ndihmojnë edhe katër lojtarët e repartit difensiv.

Taipi në rolin e organizatorit do të rreshtohet pas shpinës së sulmuesit Mba dhe Tedi Cara. Me parimin skuadra që fiton nuk ndryshohet, Zekiç shpreson ta mbyllë çështjen e kualifikimit prej ndeshjes së parë në Letoni. Valmiera dhe Partizani zbresin në fushë mbrëmjen e sotme prej orës 19:00.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos