Aspak e nderuara zonja Paunoviq…

Nga A2 CNN
15 Korrik 2026, 09:32 | Blog
Aspak e nderuara zonja Paunoviq…

Një letër ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila një çerekshekull pas përfundimit të luftës ëndërron spastrimin etnik të Kosovës.

Enver Robelli

Aspak e nderuara zonja Paunoviq,

në një intervistë dhënë një tabloidi propagandistik të Beogradit, ju së fundi keni deklaruar se, po të ishit në vend të Sllobodan Millosheviqit, do t’i kishit dëbuar nga Kosova banorët e saj shqiptarë, pra shumicën e popullsisë. Si vit të përshtatshëm për ta realizuar planin e spastrimit etnik të Kosovës ju e shihni vitin 1998.

Deklaratën tuaj skandaloze e keni dhënë më 11 korrik, në ditën kur bota e civilizuar kujton masakrën e Srebrenicës, e cila nga të gjitha instancat relevante juridike ndërkombëtare është klasifikuar si gjenocid - gjenocidi i parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht në këtë ditë me simbolikë të fuqishme ju keni zgjedhur të ëndërroni për një gjenocid tjetër. Ju thoni se gjenocidin do ta kishit realizuar jo duke i vrarë shqiptarët, por thjesht duke i dëbuar nga vatrat e tyre. Faleminderit shumë, vërtet duhet çmuar ky humanizëm i juaji. Më 1999 regjimi që ju e adhuroni dëboi rreth një milion shqiptarë nga Kosova. Për dallim prej jush, ai regjim deshi t’i linte disa shqiptarë në Kosovë si dekor dhe i pajisi me kartona të veçantë. Ju, zonja Paunoviq, nuk do të linit asnjë shqiptar në Kosovë.

Nga deklarata juaj flet ëndrra raciste e një pjese të udhëheqjes politike serbe për t’i rikthyer vitet e errëta 1990-të. Sipas të dhënave tuaja biografike, ju jeni lindur në Pejë më 1975. Më 1992, si 17-vjeçare, kur jo vetëm të rinjtë në Europë dëgjonin këngën „Insieme: 1992“ të Toto Cutugnos, një himn për bashkimin dhe integrimin e Europës, ju zgjodhët të anëtarësoheni në Partinë Socialiste të Serbisë (SPS). Kjo parti dhe kryetari i saj, Sllobodan Millosheviq, kanë shkatërruar jetën e miliona njerëzve në Ballkan.

Në vitin 1992 mund të keni qenë e indoktrinuar nga propaganda e kohës, pra mund t’ua kenë shpëlarë trurin nxitësit e urrejtjes, si Mirosllav Sholeviqi, Kosta Bullatoviqi, Sonja Shqepanoviqi dhe idhulli juaj i madh, Sllobodan Millosheviqi. Një 17-vjeçareje mund t’i falet anëtarësimi në një parti që model biznesi e kishte - dhe vazhdon ta ketë - nxitjen e tensioneve mes popujve. Por të ëndërroni në vitin 2026, një çerekshekull pas luftës, për spastrimin etnik të një vendi me gati dy milionë banorë, kjo tregon për një deformim shumë të madh jo vetëm të diskursit publik, por edhe të ndërgjegjes politike.

Aspak e nderuara zonja Paunoviq,

Po të kishit mësuar sadopak nga historia më e re e Ballkanit, ju do të shprehnit dhimbje të sinqertë për krimet që qeveria e Serbisë ka kryer ndaj shqiptarëve, pra fqinjëve tuaj, me të cilët jeni rritur. Do të kërkonit edhe falje në emër të ndërtimit të një të ardhmeje ku shqiptarët dhe serbët jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit. Do të kërkonit nxjerrjen para gjyqit të komandantëve të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët jo vetëm organizuan ekzekutime masive të civilëve në Kosovë, por u kujdesën në mënyrë makabre të fshehnin gjurmët e krimeve, duke i shpërndarë kufomat nëpër disa lokacione në Serbi.

Një nga këto lokacione gjendet në Batajnicë, para portave të Beogradit. Vetëm aty janë gjetur kufomat e gati 800 shqiptarëve - burra, gra dhe fëmijë - të vrarë në Kosovë. Mes tyre kishte edhe njerëz nga vendlindja juaj, faji i vetëm i të cilëve ishte se flisnin shqip e jo serbisht. Për këtë shkak ju shqiptarët do të dëshironit t’i zhduknit nga faqja e dheut nëpërmjet spastrimit etnik.

Në një botë ideale, pa helm nacionalist, ju, duke qenë edhe dëshmitare e represionit të Beogradit në Kosovë, do të ishit mjaft e zëshme në betejën për një të ardhme paqësore. Do të kërkonit vendosjen e një pllake përkujtimore në vendndodhjet e varrezave masive të identifikuara në Serbi. Ato janë: Batajnica, Petrovo Sello, Peruçac dhe Rudnicë. Në këto katër lokacione janë gjetur kufomat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe. Një kamion me 86 kufoma mbi sipërfaqen e lumit Danub, i zbuluar nga një peshkatar më 4 prill 1999 - ky është një nga simbolet më të llahtarshme të politikës së regjimit të mbështetur nga Snezhana Paunoviq.

Në një botë ideale, ju, zonja Paunoviq, do të vizitonit familjet shqiptare që kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës. Një gjest i tillë pajtimi do të mirëpritej nga shoqëria e Kosovës.

Për fat të keq (edhe tuajin, aspak e nderuara zonja Paunoviq), ju keni zgjedhur një rrugë tjetër. Pas deklaratës suaj nuk kërkuat falje. E thatë atë që mendoni dhe e mbrojtët atë që thatë. Tani jeni person non grata në Kosovë, por ky nuk është ndëshkimi më i rëndë që merrni. Njolla që do të mbetet në jetëshkrimin tuaj është se keni shprehur dëshirën e zjarrtë për ta dëbuar nga vendi i vet një popull tjetër.

Racizmi prej kohësh është normalizuar në Serbi. Në vitin 2019 kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, i quajti shqiptarët e Kosovës „njerëz që vijnë nga mali“. Javën që shkoi, shkrimtari serb Vlladimir Arsenijeviq u sulmua në Beograd nga një grup huliganësh nacionalistë, teksa po përgatiste një përkujtim për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Sulmuesit e kërcënuan dhe e goditën. Përkujtimi u anulua për arsye sigurie. Në vendngjarje u lanë edhe grafite që lavdëronin Ratko Mlladiqin, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

Sipas një raporti të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, një organizatë jofitimprurëse me seli në Beograd, në Serbi gjatë vitit 2025 u dokumentuan të paktën 110 raste të mohimit ose relativizimit të krimeve të luftës. Këtu përfshihet mohimi i gjenocidit në Srebrenicë, mohimi i masakrës së Reçakut në Kosovë, mohimi i rrethimit të Sarajevës, mohimi i ekzistencës së varrezave masive me kufomat e shqiptarëve të Kosovës në disa lokacione në Serbi, si dhe kundërshtimi i rezolutës së OKB-së për përkujtimin e Srebrenicës dhe glorifikimi publik i personave të dënuar për krime lufte.

Aspak e nderuara zonja Paunoviq,

Ju ndoshta ndiheni e lumtur në një habitat të tillë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet etja juaj për gjakderdhje të re. Por me këtë qasje nuk i ndihmoni askujt, aq më pak komunitetit serb në Kosovë. Disa përfaqësues të tij tashmë kanë paralajmëruar se deklarata juaj është hedhje e kripës mbi plagët e pashëruara të luftës. Në një botë normale ju, zonja Paunoviq, do të jepnit dorëheqje. Ose do të shkarkoheshit nga shefat tuaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos