Vijon me dorë të hekurt operacioni ushtarak i Izraelit, kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Ushtria raportoi një sërë përleshjesh gjatë operacionit tokësor, teksa pretendon se terroristët kishin sulmuar me zjarr artilerie dhe predha antitank.
Paralelisht, forcat e Tel Avivit vazhduan edhe bombardimet ajrore duke goditur 300 shënjestra të Hamasit. Siç thuhet në sulme ka mbetur i vrarë edhe komandanti i batalionit Beit Lahia i brigadës veriore të Hamasit, Nasim Abu Ajina, i cili udhëhoqi masakrën e 7 nëntorit në një prej vendbanimeve izraelite.
Të hënën kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, refuzoi thirrjet për armëpushim, duke thënë se tani ishte koha për luftë.
“Ashtu si SHBA nuk u dakordësuan për armëpushim pas bombardimit të Pearl Harbor apo pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Izraeli nuk do të pranojë pushim të luftimeve me Hamasin pas sulmeve të tmerrshme të 7 tetorit. Thirrjet për armëpushim ndaj Izraelit, janë thirrje që ne t’i dorëzohemi terrorizmit dhe barbarizmit”, tha kryeministri.
Edhe Shtetet e Bashkuara mbështesin Izraelin në refuzimin e armëpushimit, duke thënë se për momentin kjo nuk ishte përgjigjja e duhur.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby bëri thirrje për pauza për qëllime humanitare dhe tha se ishte në kontakt me qeverinë izraelite për të rritur numrin e kamionëve me ndihma në rreth 100 në ditë.
Mbi 9800 civilë raportohet të jenë vrarë në gaza që kur Izraeli nisi operacionin ushtarak më 7 tetor, e sipas të dhënave viktima të konfliktit kanë mbetur edhe 31 gazetarë.
50 vetë humbën jetën vetën gjatë 24 orëve të fundit në Gaza, ndër të cilët edhe një familje me 18 pjesëtarë. (A2 Televizion)