Jair Bolsonaro ia arriti qëllimit, dhe ndryshon historinë e Brazilit. Pas 13 vjet majtas, shteti i Amerikës së Jugut harron qeverinë e Lula-s, tashmë në burg me akuza për korrupsion, dhe shkon në ekstremin tjetër të djathtë.
Me mijëra brazilianë me flamujt kombëtarë dhe fanellën e famshme ndërkombëtarësh të “Selecao”-s në futboll, kanë festuar sot në qytetet kryesore të Brazilit, në veçanti në Rio de Janeiro.
Ish kapiteni i ushtrisë fitoi në mënyrë bindëse duke marrë 55,29% të votave, kundrejt 44,71% të rivalit të tij Haddadi, që përfaqësonte të majtën.
Bolsonaro falënderoi në rrjetet sociale votuesit e tij, me tonet populiste dhe konservatore që u treguan vendimtare në suksesin e tij. “Vendi kishte nevojë për ndryshim. Nuk mund të vazhdonim më të jetonim me populizmin, ekstremizmin dhe komunizmin e së majtës. Duhet të ndjekim rrugën e Zotit. Do flasim me të gjithë, por së pari do të vejmë interesin e vendit”.
Presidenti i ri i Brazilit ka origjinë italiane, baba i pesë fëmijëve si rezultat i tre martesave.
Ka fituar ndër kohë famën e njeriut të fortë dhe të pakorruptuar, por edhe është kritikuar shumë për deklaratat e tij me sfond racist, homofob dhe antikomunist. Në programin e tij ka propozuar liberalizimin e shitjes të armëve si dhe shfrytëzimin më të lirshëm të resurseve në Amazon.
Në fillim të shtatorit Bolsonero u plagos me thikë në një atentat që u duk se ndërpreu mundësitë e tij për fitore. Ndodhi ekzaktësisht e kundërta. (A2 Televizion)