Brenda këtij viti përfundon godina e re në maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, e cila parashikon rritje të kapaciteteve të shërbimeve të urgjencës, qendrës së gruas dhe sallave të operacionit, sallave të lindjes dhe reanimacionit. Kjo është konfirmuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të punimeve. Sipas saj investimi do të sigurojnë standarde evropiane për nënat dhe fëmijët.
“Është një strukturë, e cila, jo vetëm do të përmirësojë shërbimin, por do të çojë në një nivel më të lartë përkujdesin ndaj foshnjeve, nënave dhe grave shtatzëna dhe gjithashtu do të ketë mundësi që stafi të performojë me aparaturat më të mira biomjekësore, sepse do të kemi një investim të ri në sallat e operacionit me të gjithë pajisjet e sallave të rinovuara dhe gjithashtu sa i përket kujdesit ndaj fëmijëve në reanimacionin e bebeve, do të kemi investime të reja, sa i përket pajisjeve, duke filluar nga inkubatorët neonatalë, dhe të gjitha ato aspekte që i përkasin një kujdesi akoma më të lartë, me aparatura dhe teknologji bashkëkohore për sa i përket të porsalindurve”, tha Manastirliu.
Projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po kryhet në tre plane: Ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; Rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që do ruajë detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine, si dhe zgjerimi i objektit ekzistues të Obsetrikës.
Ky investim është një kantier prej mbi 6 mijë metër katrorë, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obsetrikës dhe Gjinekologjisë. (A2 Televizion)