Buxheti i Ministrisë së Brendshme, Çuçi: Më shumë investime në teknologji dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike

Nga A2 CNN
27 Tetor 2022, 12:00 | Ekonomi
Buxheti i Ministrisë së Brendshme, Çuçi: Më

Pas sulmeve kibernetike, 7.6 herë më shumë investime në teknologji sesa në vitin 2022, janë parashikuar në buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Brendshme. Shifrat i konfirmoi vetë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë prezantimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend. Sipas tij, me fonde të vetë ministrisë janë 547 milionë lekë, ndërsa me fonde të AKSHIT janë 278 milionë lekë.

“Buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Brendshme të jetë më i lartë se i vitit që po mbyllet. Ne kemi alokuar pjesën më të madhe të buxhetit për Policinë e Shtetit, plot 19.5 miliardë lekë ose një rritje 16% krahasuar me buxhetin e vitit 2022. Si asnjëherë më parë investimet në Policinë e Shtetit, të cilat zënë pjesën më të madhe në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, do të jenë në masën 56% më shumë se viti aktual. Fokusi me këtë buxhet të ri është edhe më i përqendruar te përmirësimi i infrastrukturës teknologjike dhe sistemeve digjitale me standardet më të mira dhe rritjen e parametrave të sigurisë kibernetike për të parandaluar dhe përballuar sulmet apo incidentet kibernetike”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm foli edhe për rritjen e pagave për rreth 75% të trupës policore.

“Kemi bërë një rritje prej 15% nga e cila përfitojnë jo pak, por rreth 75% e trupës policore. Kjo është një rritje dyfish më shumë krahasuar me pjesën tjetër të administratës që përfitoi vetëm 7%, por plotësisht e justifikuar sepse punonjësit e Policisë së Shtetit përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve”.

Po kështu gjatë vitit 2023 janë parashikuar edhe rreth 110 milionë lekë për ngritjen e një strukture të re për të rritur sigurinë dhe kontrollin në zonat bregdetare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos