Të dielën në Prishtinë u mbajt ceremonia hapëse e stërvitjes së përbashkët ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 23”, e cila drejtohet nga komanda për Evropë e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova do të jetë për të dytën herë pritëse e stërvitjes që vlerësohet si më e madhja ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit dhe që synon të zhvillojë gatishmërinë dhe ndërveprimin mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve e aleatëve të NATO-s.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të dielën se “Defender Europe 23” është një stërvitje posaçërisht e rëndësishme tani kur ka një agresion të pajustifikueshëm rus në Ukrainë.
Ambasadori amerikan vlerësoi lart bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila tha se ka shënuar përparim përmbajtësor vitet e fundit.
Sakaq, udhëheqësit në Kosovë thanë se kjo stërvitje është simbol i vendosmërisë së vendit për ta ruajtur paqen në botë dhe i përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes të vendeve demokratike. (A2 Televizion)