Denaj: Ky vit, më i vështiri për rritjen ekonomike

Nga A2 CNN
29 Tetor 2020, 13:14 | Ekonomi
Denaj: Ky vit, më i vështiri për rritjen ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në Konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, “Covid 19-Impakti në Ekonomi dhe Politikat e Bankës Qendrore”, në bashkëpunim me LSE ( London School of Economy).

Ministrja Denaj vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e BSH-së gjatë pandemisë dhe theksoi se Covid-19 ka sfiduar qeverisjen dhe teoritë ekonomike brenda një kohe shumë të shkurtër. Ministrja në fjalën e saj u shpreh se përsa i përket rritjes ekonomike, ky vit është më i vështiri për rritjen ekonomike për shkak të këtyre ndikimeve jo pozitive në buxhet. Gjithsesi, qëndrueshmëria e bazave kryesore ekonomike, përfshirë stabilitetin e financave publike, duket se të paktën deri më tani, nuk ka shenja mangësie të madhe, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar të ndodhte fillimisht.

“PBB-ja u tkurr me 10.2% në tremujorin e dytë dhe -6.6% në gjysmën e parë të vitit 2020, krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Ne parashikojmë një tkurrje të ekonomisë me 6.1% në fund të vitit. Në rast se situata me pandeminë nuk do të përkeqësohet në vijim, projeksionet e vitit të ardhshëm do të jetë 5.5% në rritje”, tha ministrja.

Ministrja informoi pjesëmarrësit në këtë konferencë mbi masat e marra për të mbështetur likuditetin e bizneseve, veçanërisht nëpërmjet skemave të reja të garancisë së shtetit në shumën gjithsej prej 250 milionë dollarë. Zbatimi i këtyre garancive ishte diçka e re, ashtu sikundër vlerësimi mbi ndikimin e gjerë që kanë në momente krize si këto.

Viti i ardhshëm është sfida e vërtetë për ne, tha ministrja Denaj, pasi askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë. Sidoqoftë ne kemi shtuar përpjekjet për të mbështetur rritjen e ekonomisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos