“Të gjithë kanë votuar njëherë Ramën ose Berishën”, Bala-Çepani përplasen për Kodin Zgjedhor

Nga A2 CNN
23 Korrik 2026, 22:04 | Politikë

Kodi zgjedhor dhe përfaqësimi politik u kthye sërish në qendër të debatit mes analistit Andri Bala dhe aktivistes Edlira Çepani, të cilët u përplasën mbi efektet e sistemit aktual zgjedhor dhe mundësinë për ndryshimin e tij.

Gjatë debatit, Bala argumentoi se, pavarësisht bindjeve politike, shumica e shqiptarëve kanë votuar në një moment të jetës së tyre si për Ramën ashtu edhe për Berishën.

“Të gjithë kanë qenë me Berishën njëherë. Të gjithë kanë qenë me Ramën njëherë. Nuk ka asgjë të keqe ta pranosh këtë”, tha Bala, duke shtuar se për shumë vite vota e qytetarëve ka përfunduar te dy forcat e mëdha politike për shkak të koalicioneve parazgjedhore.

Duke kundërshtuar këtë qëndrim, Çepani tha se problemi nuk lidhet me emrat e partive, por me sistemin zgjedhor të miratuar në vitin 2008.

“Sistemi zgjedhor që ne kemi që prej vitit 2008 krijon bipartitizëm, krijon dy parti të mëdha të cilat nuk kanë një barazi kur shkojnë në zgjedhje me parti të tjera nga këto 151 të tjera që unë po të them. 153 janë bashkë me këto të dyja. Atëherë gjëja që ne kërkojmë është pikërisht kjo. Jo që njerëzit të mos votojnë PD-në, PS-në, PL-në apo dikë tjetër. Gjëja që ne po kërkojmë është që njerëzit të kenë mundësinë të votojnë kë të duan, por që vota e tyre të ketë vlerë të barabartë kur ata të shkojnë të votojnë edhe nëse janë nga Kukësi dhe nëse janë nga Vlora, që sot nuk e kanë, edhe nëse janë me PD-në, me PS-në që janë dy partitë e mëdha, por edhe në qoftë se janë me një parti tjetër që është e vogël, në këtë rast vota e tyre nuk është e barabartë”, u shpreh Çepani.

Në vijim, Bala e pyeti nëse protestuesit do të pranonin të uleshin në dialog me kryeministrin Edi Rama për ndryshimin e kodit zgjedhor.

Ndërsa Çepani u përgjigj se diskutimet duhet të zhvillohen në Parlament dhe në komisionet përkatëse.

“Nëse parlamenti do të kishte fuqinë e duhur që kryeministrat përkatës të mos e drejtojnë ashtu siç Qejfi parlamenti do të ishte institucioni që do të kishte fuqinë e duhur për të bërë apo për të bërë mandat është parlamenti. Janë 140 deputetë të cilët janë aty paguhen nga taksat e popullit dhe parlamenti zgjedh qeverinë e cila ekzekuton ligjet që bën parlamenti. Jo e kundërta”.

“Nuk dashkeni zgjidhje doni ngërç. Ulet Rama e Berisha të flasin me zërin e protestës me qytetarët. A e doni zgjidhje apo doni të bëni xhiro në bulevard?”, iu kundërpërgjigj Bala.

Aktivistja theksoi se prej vitesh janë paraqitur propozime për një sistem që garanton përfaqësim më të drejtë të qytetarëve.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos