Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila u shpreh se nuk është normale që një deputet të futet në Kuvend mes një lumi sharjesh dhe vezësh.
“Unë mendoj që nuk mund të normalizohet dhuna në asnjë lloj aspekti sepse dhuna nuk ka një ngjyrim partiak apo politik. Nuk mund të themi që nuk të gjen gjë nga veza, sepse unë po ju them, e kam përjetuar në lëkurën time, ajo nuk ishte një turmë vetëm vezësh. Ajo ishte një turmë që të merrte përpara me ç'kishte dhe mund të bënte akte nga më të ndryshmet, të cilat ti nuk i parashikon dot. Përsa i përket historisë së dhunës, unë po ju them që mos ta bëjmë këtë historinë si ajo historia shqiptare që “nuk ka problem se nuk të ha ai qeni”. Mos ki frikë se nuk të ha. Nuk është çështja e vezës në vetvete, se dhe ky normalizimi dhe naiviteti që fshihet tek veza sinqerisht është shumë e shëmtuar. Një përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë të futet në vendin e tij të punës, për të cilën paguhet për ta bërë dhe për ta ushtruar këtë detyrë, dhe të shkojë atje në një lumë sharjesh, në një lumë vezësh, por dhe jo vetëm vezësh, sepse aty është kapur gurë, aty është kapur çdo gjë dhe mënyra e furishme e ardhjes së turmës, unë personalisht e kam përjetuar në lëkurë, pavarësisht se i mora masat e mia, por kjo nuk mund të trajtohet si normalitet”, tha Mila në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Është një lumë urrejtjeje që unë përjetoj në rrjetet sociale. Është një dhunë konstante. Ka 72 orë në rrjetet sociale që orkestrohet një fushatë e tmerrshme linçimi, bullizmi, ku fotografi është bërë dhe vajza ime 3-vjeçare dhe ku kërkohet dhunë edhe ndaj saj. Fotot e mia të montuara me lloj-lloj fantazirash të orkestruara patjetër prej 72 orësh. Ka një lumë urrejtjeje, mllefi, linçimi publik të jashtëzakonshëm pas tastiere. Unë sot ballafaqohem në vendin tim të punës pa tastierë, por fizikisht aty, edhe me vezë me vete. Tani, unë me çfarë duhet të mbrohem nëse nuk kam Policinë e Shtetit? Unë përballë këtyre dhunuesve, unë përballë këtyre linçuesve, përballë këtyre që kanë fantazira nga më të ndryshme dhe kanë fantazira dhe me fëmijën tim 3-vjeçar, unë çfarë duhet të bëj? A duhet të qëndroj e qetë? Patjetër, dhe ashtu qëndrova. Por, a duhet të jetë Policia e Shtetit aty të garantojë fillimisht mbrojtjen time fizike? Se këta njerëz janë të dhunshëm dhe janë të frikshëm. Patjetër që kam frikë! Pse, kush nuk ka frikë nga një turmë e cila nuk ka asnjë armatë tjetër veç dhunës”, shtoi deputetja socialiste. (A2 Televizion)