Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në përfundim të misionit të saj diplomatik në Shqipëri, ka bërë një reflektim rreth stadit në të cilin janë aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryediplomatja amerikane u shpreh mirënjohëse që gjatë këtyre viteve pati mundësinë që të njihte vendin dhe njerëzit në Shqipëri.
Kim përmendi reformën në Drejtësi për të cilën tha se nuk është e lehtë dhe “as perfekte”, por shtoi se po jep rezultate dhe se puna duhet të vijojë.
“Mos u ndalni, vijoni të ecni përpara, SHBA-ja do të jetë me ju çdo hap derisa sa të arrini qëllimin tuaj. Nuk do të lëkundemi kurrë për të mbështetur aspiratat e popullit shqiptar për të zënë vendin që i takon në BE. Bashkëpunimi ynë në Mbrojtje ka arritur nivele të reja. Ushtria amerikane ka vijuar me prezencën e saj në Shqipëri”, shtoi Kim.
Sa i përket lidhjeve të biznesit mes dy vendeve, Yuri Kim theksoi se ato vijojnë të rriten, por se ka vend për përmirësim.
Ambasadorja amerikane tregoi po ashtu se eksperienca në Shqipëri e ka ndryshuar në një nivel personal.
“Kam ndryshuar në shumë mënyra nga përvoja ime këtu. Do ta lë Shqipërinë me respekt të madh për historinë, traditat tuaja dhe këmbënguljen tuaj legjendare të shqiptarit. Me mirënjohje për dashamirësinë dhe miqësinë tuaj. Padurimin tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Do të largohem me shpresë të madhe për këtë tokë si e jona, të shqiponjave.”
Sa i përket rolit të vendit në arenën ndërkombëtare, Kim përmendi që Shqipëria ishte ndër vendet e para që u tregua e gatshme të strehonte afganët, teksa shtoi se duhet vijuar puna në proceset euro-integruese në mënyrë që vendi të "marrë vendin që i takon në BE." (A2 Televizion)