Konstituohet Këshilli Bashkiak i Tiranës, zgjidhet kryetarja e tij

Nga A2 CNN
20 Qershor 2023, 19:12 | Aktualitet
Konstituohet Këshilli Bashkiak i Tiranës, zgjidhet kryetarja e tij

Është zhvilluar në Bashkinë e Tiranës ceremonia e betimit të kryetarit të dalë nga zgjedhjet e 14 majit, të cilat konfirmuan për herë të tretë Erion Veliaj.

Ceremonia pati dhe kontestimet e para nga ana e këshilltarëve të opozitës, pasi Veliaj kishte zgjedhur tarracën e bashkisë për të bërë premtimet, ndërsa ata kërkuan që kryebashkiaku të betohej në sallën e mbledhjeve të këshillit.

“E paprecedentë nga Bashkia Tiranë! Kryetari i zgjedhur i Bashkisë refuzon të betohet siç e parashikon ligji dhe rregullorja në fuqi. Njoftimi i nisur nga vetë Bashkia Tiranë, pika 6 e rendit të ditës për mbledhjen e parë, flet qartë ku duhet të betohet Kryetari i Bashkisē. Neni 18, mbi mandatin e kryetarit, thotë se: Pika 1: Shpallja e vlefshmërisë dhe betimi i Kryetarit bëhet në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Pika 3: Ushtrimi i mandatit të Kryetarit fillon në çastin kur bën betimin përpara Këshillit Bashkiak”, tha Ilir Alimehmeti.

“Turp i madh Erion Veliaj betohet ne tarracë dhe jo në sallën e këshillit bashkiak ku e përcakton ligji dhe rregullorja. Betimi i Erion Veliaj në tarracë thellon paligjshmërinë dhe tenton të uli autoritetin e Këshillit Bashkiak që përfaqëson qytetarët e Tiranës. Ky vendim poshtëron qytetarë të cilët duan transparencë. Sindroma e frikës nga hajdutëria dhe bunkerizimi e udhëheq kudo”, shkroi në rrjetet sociale Endrit Braimllarit.

Gjithashtu, u bë dhe konstituimi i këshillit bashkiak, i cili në rend dite kishte dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të tij. Pas propozimit të bërë nga këshilltarët socialistë, votimi i hapur zgjodhi ish/zv.ministren e Brendshme, Romina Kuko në krye të këshillit.

Romina Kuko ka përfunduar studimet për Psikologji në Universitetin e Shefildit, ku është diplomuar me titullin Honors. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos