
Administrata tatimore ka nisur një fushatë të re kontrollesh në terren për festat e fundvitit, e cila do të zgjasë deri më 31 Dhjetor 2018.
Në lupë kësaj radhe do të vihen zonat me aktivitet të lartë ekonomik, në subjektet më të frekuentuara gjatë periudhës së festave, si dhe tregjet e bizneset në fushën e transportit.
Aksioni i fundvitit i tatimeve do të fokusohet tek ato subjekte që kanë deklaruar një xhiro në rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Si objektiv është lëshimi i kuponit tatimor dhe identifikimi i bizneseve që përdorin pajisje jo-fiskale. Ndërkohë një tjetër objektiv i pathënë është edhe mbushja e arkës së buxhetit të shtetit. Sipas ekspertëve të fushës, kontrollet e shpeshta krijojnë shqetësime për bizneset pasi shtojnë burokracitë.
“Operacioni do të jetë i shtrirë në qendrat e qyteteve kryesore në të gjithë vendin. Ai pason aksionin kundër informalitetit në bregdet, i cili solli gjobitjen dhe mbylljen një numri të madh subjektesh”, shprehet eksperti Bujar Bendo. (A2 Televizion)