
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje pas dhunës në komisariatin numër 3 në kryeqytet, ku një pjesë e madhe e protestuesve marshuan aty, pasi mbahen protestuesit e ndalur pas tensioneve dhe përplasjeve me uniformat blu të enjten para parlamentit.
Sipas ministrit Lamallari dhuna u nxit fillimisht nga deklarata të papërgjegjshme dhe më pas u përshkallëzua nga individë dhe grupe që, sipas tij, nuk përfaqësojnë protestën paqësore.
“Një shembull konkret i ciklit të dhunës që nis me urrejtjen e nxitur nga një deklaratë e papërgjegjshme në mëngjes ‘për prova dhune dhe gjaku’ por që u ndryshua në drekë, iu hodh ‘benzinë’ pasdite nga moralistët, kritikët gjithollogë dhe delirantët revolucionarë si ushqim për rrjetin përplot me profile të hapura rishtazi dhe shumëfishuar nga zyra gjetkë, ndihmuar nga algoritmi dhe shoqëruar në fund me një pjatë të helmatisur simbolikash ataviste të një kulture që nuk ka vend në Shqipërinë evropiane. Jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës kombëtare Shqipëria 2030 dhe asgjë nuk na ndal!”, shkruan Lamallari, krahas videos.
Ndërkohë, gjatë protestës së mbrëmshme, përveç marshimeve dhe thirrjeve në mbështetje të të ndaluarve, u raportuan edhe episode tensioni pranë Komisariatit Nr. 3, ku policia përdori masa për shpërndarjen e turmës dhe vendosi kordon sigurie në perimetër.
Pas thirrjeve “Lironi çunat” një grup personash kanë thyer disa xhama të fasadës së ambienteve të komisariatit. Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, duke krijuar një kordon sigurie në të gjithë perimetrin e komisariatit. Po ashtu, u përdor edhe ujë për të shpërndarë protestuesit.
Por, ata nuk u tërhoqën. Një grup u ulën në tokë përballë kordonit të policisë me thirrjet “Lironi çunat”, “Polici e krimit”, “Nuk kemi frikë”. (A2 Televizion)