”Fotografohet” Shqipëria 2023, INSTAT optimist për procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 17:03 | Ekonomi
”Fotografohet” Shqipëria 2023, INSTAT optimist për

Nga ky 18 shtator nis censi, ose thënë ndryshe regjistrimi i popullsisë dhe banesave. Mbi 7500 anketues, kontroll, mbikëqyrës të trajnuar nga INSTAT për një periudhë 6 javore do të trokasin derë më derë në të gjitha banesat e Shqipërisë, për të pyetur qytetarët.

Në rastet kur qytetarët refuzojnë të përgjigjen pas një interesimi disa herë nga ana e INSTAT ata do të gjobiten me vlera nga 50 deri në 100 mijë lekë.

Studentë, ish-anketues apo ish-arsimtarë por dhe pensionistë janë angazhuar në terren duke nisur nga kjo e hënë. A2CNN ndoqi nga afër këtë proces duke ju bashkuar grupit të INSTAT në Njësinë Nr.8 në Tiranë.

Ky pyetësori përmban 100 kategori pyetjesh të ndara në 8 module në lidhje të dhëna demografike e sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. “Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur.

Çdo grup pune ka një normë ditore të banesave që duhet të paraqitet për të kryer regjistrimin e të dhënave. Deri më tani procesi i regjistrimit ka vijuar mirë sipas drejtoreshës së INSTAT, Elsa Dhuli teksa janë përfunduar rreth 800 pyetësorë.

Deri tani referuar sistemit, procesi po shkon mirë. Janë regjistruar pjesa më e madhe e anketuesve. 1500 intervista janë në proces, janë përfunduar rreth 800 pyetësorë. Procesi është dinamik dhe po shkon sipas pritshmërive, intervistat do vazhdojnë edhe pasdite për të mundësuar takimin me qytetarët që kanë qenë në punë. INSTAT do japë informacion mbi ecurinë. Ftojmë çdo individ t’i kushtojë disa minuta procesit të numërimit duke bashkëpunuar me anketuesit pasi censusi është një e mirë publike në të mirë çdo qytetari.

Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë deri më 28 tetor. Të dhënat e para do të publikohen në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos