Fundjavë pa të shtëna në New York, e para pas 25 vitesh

Nga A2 CNN
16 Tetor 2018, 08:58 | Bota

Për herë të parë pas një çerekshekulli një fundjavë në New York City kaloi pa u qëlluar askush me armë. Nga e premtja, 12 tetor, deri të dielën, 14 tetor, asnjë person nuk u qëllua me armë zjarri, sipas raportit të policisë. Madje rekordi mund të jetë edhe më i gjatë, pasi një zëdhënës i policisë tha për CNN se të dhënat e tyre datonin që nga viti 1993.

Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio e quajti këtë një arritje të jashtëzakonshme gjatë një fjalimi në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj të policisë. “Në një qytet me 6,8 milionë njerëz, asnjë e shtënë me armë”, tha ai. “Duhet të falënderojmë Policinë e qytetit për këtë sukses”.

Ndërkohë, shefja e strategjisë për kontrollimin e krimit në Departamentin e Policisë së New York, Lori Pollock, tha se qyteti po shkonte drejt një rekordi këtë vit, me më pak se 97 000 vepra penale të raportuara.

Në përgjithësi krimi ka pësuar rënie në “Mollën e Madhe” vitet e fundit. Në vitin 2017, vrasjet në qytet arritën një rekord historik të ulët. Megjithatë, qetësia mbaroi me fundjavën, pasi në orën 13:00 të së hënës u raportua edhe e shtëna e parë në Bronx. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos