Gjendet i vdekur punonjësi i Portit të Vlorës! Familjarët: Është goditur pas koke, i kanë marrë çantën me 10 mijë euro

Nga A2 CNN
21 Gusht 2023, 09:49 | Aktualitet
Gjendet i vdekur punonjësi i Portit të Vlorës! Familjarët:

Një agjent i shitjes së biletave në Portin e Vlorës është gjetur i pajetë në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. Viktima është identifikuar si Nadir Gjata, 60 vjeç. Edhe pse kanë kaluar disa orë, policia ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë ngjarje. Ndërsa familjarët e të ndjerit kanë hedhur dyshime se Gjata është vrarë dhe grabitur në vendin e quajtur si “Kapelja”.

Të dhënat paraprake flasin se Nadir Gjata ka dalë nga porti i Vlorës rreth orës 3:30-04:00 të mëngjesit së bashku me mjetin tij. Ati i është grabitur edhe çanta që mbante ku dyshohet se ka pasur një shumë rreth 10 mijë euro nga shitja e biletave.

Ndërsa në vendin e ngjarjes mjeti i Gjatës është përplasur me një autoveturë tip Toyota që ka qenë e parkuar. Ky fakt bëri që fillimisht ngjarja të raportohej si aksidentale, por sipas familjarëve, i ndjeri ka goditje pas koke, ç’ka ngre dyshime se mund të jetë goditur me qëllim grabitjen e shumës që mendohet se ka patur me vete.

Sakaq policia ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë, për të kuptuar dinamikën e kësaj ngjarjeje, pasi ende nuk dihet nëse viktima e ka patur agresorin brenda në makinë, apo e kanë ndaluar dhe më pas e kanë goditur, duke tentuar ta klasifikonin ngjarjen si aksident automobilistik.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos