I njëjti fat pret edhe Tokën, astronomët vëzhgojnë për herë të parë si ylli gëlltit planetin e madh sa Jupiteri

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 15:01 | Teknologji

Për herë të parë, shkencëtarët kanë arritur të shohin momentin sesi një yll gëlltiti një planet të tërë, një fat që sipas tyre, e pret edhe Tokën.

Astronomët kanë arritur të vëzhgojnë edhe më parë momentet para se një planet të gëlltitet nga një yll që është duke vdekur, por kjo është hera e parë që momenti i saktë është arritur të shihet. Të paktën kështu pretendojnë një grup studiuesish nga Massachusetts Institute of Technology, Harvard University dhe California Institute of Technology.

“Faktin që planetët e sistemit diellor do të përpihen një ditë nga dielli, e kam lexuar për herë të parë kur isha në shkollë të mesme, kështu që ishte vërtet e pabesueshme për ne që arritëm të gjenim rastin e parë të një ngjarje të tillë!”, tha për CNN Kishalay De, autori kryesor i studimit dhe kërkues në Massachusetts Institute of Technology.

Për shkak se i mbaron energjia, ylli fryhet duke u bërë deri në 1 milion herë më i madh nga masa origjinale, duke djegur e përpirë çdo gjë që gjen para. E gjitha ngjarja ndodhi 12 mijë vite dritë larg nesh, në yjësinë “Aquila” dhe planeti i përpirë ishte i madh sa Jupiteri. Ata e pikasën këtë moment në maj të vitit 2020 por u desh një vit punë për të kuptuar çfarë kishin parë.

Sipas studiuesve, edhe planeti ynë do të ketë të njëjtin fat, por kjo do të ndodhë pas 5 miliardë vitesh. “Po shohim të ardhmen e Tokë”, tha De. “Nëse një qytetërim tjetër do të ishte duke na parë nga 10 mijë vite dritë larg, teksa Dielli përpinte Tokën, ata do të shihnin Diellin teksa ndriçohej papritur dhe “pështynte” një material e më pas rreth tij do të formohej pluhur, para se të kthehej e të merrte formën fillestare”.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi