Interi fiton një ndeshje kyç për një vend në Champions League dhe kap Napolin në vendin e dytë të Serie A, por zikaltrit e Milanos mund të fillojnë të shohin me optimizëm edhe ndeshjet në vazhdim, dhe pse jo të frikësojë sadopak Juventusin e Kristiano Ronaldos.
Ndeshja në stadiumin Olimpiko të Romës ishte në mëdyshje për shkak të kushteve atmosferike. Shirat dhe era e furishme kishin paralizuar kryeqytetin italian, por pa penguar rreth 35 mijë spektatorë të ishin të pranishëm në stadium.
Lojtarët e Lacios kishin dëshirë të hakmerrnin natën e 20 majit të kaluar, ku goli në minutat e fundit të Vecino i kishte dhuruar djemve të Spaletit vendin e katërt dhe aksesin në Champions. Ekzaktësisht pesë muaj më vonë, ekulibri mes dy ekipeve duket tashmë i kthyer tërësisht nga ana e Interit.
Tifozëve të Lacios iu desh të ishin dëshmitarë i një “stuhie” sportive edhe në fushë, sepse Interi kontrolloi lojën pothuajse gjatë gjithë kohës, me raste shënimi të shumta dhe një lojë solide që mungonte prej kohësh.
Lacialët nuk arritën të rezistojnë më shumë se gjysmë ore, sepse nga një dialog mes Perisic dhe Vecino “gjarpri” Ikardi përfiton dhe dërgon topin në rrjetën e Strakoshës.
Ishte minuta e 28, që shënon edhe fundin e rezistencës të bardhebluve. Strakosha tenton të shpëtojë portën e tij disa herë, por kapitullon në fund të pjesës së parë nga një gjuajtje nga jashtë të Brozovic, ndoshta më i miri i Interit në ndeshjet e fundit. Ndeshja faktikisht mbaron aty, sepse përtej disa mundësive me Marusic dhe Immobile, djemtë e Inzagit nuk duken në formë dhe janë preh e kundërsulmit interist.
Një asist i Borja Valero, që zëvendësoi surprizën Joao Mario që e nisi si titullar ndeshjen, mundësoi golin e gjashtë në kampionat të kapiten Ikardit, duke gëzuar Wanda Narën por sidomos tifozët që po fillojnë të ëndërrojnë me sy hapur për një sezon të suksesshëm. (A2 Televizion)