
Kamza-Tirana dhe Flamurtari-Teuta ishin dy sfidat e kësaj të shtune në Kategorinë Superiore, të cilat u mbyllën të dyja me ta njëjtin rezultat.
Sfida e parë, ishte ajo mes Kamzës dhe Tiranës, ku dy ekipet ndan nga një pikë, e cila nuk është se i shërben për të dalë nga kriza e rezultateve negative të javëve të fundit.
Bardheblutë e Ardian Memës, ishin më aktivë dhe më kërkues, ndonëse as vendasit e drejtuar nga trajneri elbasanas, Klodian Duro nuk mbetën mbrapa, në kërkim të fitores së munguar prej shumë javësh.
Sa i përket golave, gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, kur Tirana kaloi e para në avantazh në minutën e 64’, me sulmuesin Sentamu, që mposhti portierin e vendasve, Avdylin. Kamza reagoi vetëm 5 minuta më vonë dhe ishte japonezi Fukui, që shfrytëzoi një top të grushtuar keq nga portieri bardheblu, për ta dërguar në rrjetë dhe për të rivendosur baraspeshën.
Pas kësaj ndeshjeje, si Tirana, ashtu edhe Kamza mbeten në të njëjtat pozita në renditje, konkretisht në vendin e 7 dhe të 8, por me ndryshimin se tashmë kanë nga një pikë më tepër, 9 për bardheblutë dhe 8 për kamzalinjtë.

Me të njëjtin rezultat u mbyll dhe derbi bregdetar, mes Flamurtarit të Vlorës dhe Tetutës së Durrësit. Një skemë e bukur e finalizuar nga sulmuesi Danilo Alvesh i dha vendasve epërsinë, por skuadra e trajnerit Daja nuk diti ta menaxhojë, madje e shpërdoroi para pushimit. Teuta arriti të barazojë me një goditje dënimi nën mur, veprim që befasoi portierin Koliçi. Në fraksionin e dytë Flamurtari kërkoi golin e suksesit që mund ti jepte përkohësisht vendin e dytë, por pa sukses. (A2 Televizion)