
Që pas largimit nga drejtimi i skuadrës spanjolle të Alaves, ish-trajneri i Shqipërisë së sukseseve, italiani Gianni De Biasi është në kërkim të një eksperience të re, por ende nuk ka gjetur klubin apo kombëtaren me projektin e duhur për të vazhduar karrierën e tij.
Emri i De Biasit është lakuar shpesh nga mediat italiane, por edhe ato shqiptare, si një kandidat i mundshëm për të marrë kombëtaren e Polonisë, pasi kjo e fundit dështoi totalisht në Botëror, por së fundmi edhe për stolin e Armenisë.
Ai që hedh dritë mbi të vërtetën është vetë Gianni De Biasi, i cili në një intervistë për mediat italiane ka bërë të ditur se ka refuzuar ofertën e Federatës Armene të Futbollit, pasi nuk është bindur nga projekti.
“Jam takuar me Federatën e Armenisë, por e refuzova ofertën. Kam dëshirë të kthehem me një projekt serioz, ku kam mundësi të jap më të mirën time. Nuk ka rëndësi nëse është klub apo kombëtare. Kam patur disa telefonata, por nuk mund t’i them po të parës së më vjen.”
I pyetur nëse drejtuesit e Chievos i kanë bërë ofertë, De Biasi u përgjigj duke lënë të kuptuar se diçka ka ndodhur. “Nuk më kujtohet”, thotë ai.
I shquar si analist në televizionet italiane, ish-trajneri i Shqipërisë komentoi ndalesën e parë të Juventusit. “Nuk mund të them se kampionati ka qenë i mbyllur dhe u hap me këtë barazim të Juventusit. Bardhezinjtë në realitet janë dominues për atë që tregojnë në fushë dhe organikën që kanë. Juvja ka treguar aftësinë për t’u rinovuar dhe synuar gjithnjë më lart. Largimi i Gattusos? Do të ishte i parakohshëm. Rino duhet të mësohet me këto zëra, janë pjesë e profesionit. Ka një skuadër të mirë, por që të ketë një tjetër mentalitet.” (A2 Televizion)