Cana zbulon të ardhmen: Po negocioj për blerjen e një klubi

Nga A2 CNN
25 Tetor 2018, 09:06 | Futboll

Kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana është një nga figurat më të dashura edhe në “Velodrome”, ku për 4 vite ishte një nga lojtarët më të spikatur te Marseille, por Cana la gjurmë edhe të Lazio në Itali në mbyllje të karrierës së tij.

Këtë të enjte dy skuadrat do të ndeshen së bashku më Europa League, e kush më mirë se Lorik Cana mund të fliste para kësaj sfide, një njohës i shkëlqyer i të dy kampeve.

“Nuk ka asnjë paqartësi në tifozllëkun tim. Unë jam dhe do të mbetem një mbështetës i madh i Olimpikut të Marsejës. Do doja të isha në stadium, por kam një aktivitet bamirësie. Por Lacio më ka përfshirë në protokollin e ndeshjes së kthimit dhe do të jem në stadiumin Olimpiko”, tha Lorik Cana ish-futbollist.

Legjenda e futbollit shqiptar konfirmoi se shumë shpejt do të bëjë një hap të madh në karrierën jashtë fushës, por sërish të lidhur me sportin që do më shumë.

“Ka disa negociata për blerjen e një klubi, por nuk mund të flas ende për këtë. Ky është një klub që nuk është pjesë e njërës nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për fituar eksperiencë. Duhet të shoh nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe më pas mund të mendoj të shkoj në një klub më të madh. Më tepër synoj drejtimin sportiv. Të qenit trajner nuk më ka tërhequr kurrë”, tha Cana.

Cana vlerësoi gjithashtu Marsejën si një skuadër pretendentë për të fituar Europa Ligën, pavarësisht komplikimit të rrugëtimit pas rezultateve negative. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos