Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, është shprehur se opozita duhet të ndërmarrë forma më të forta reagimi në mbështetje të protestës qytetare. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai propozoi që një pjesë e deputetëve të PD-së të futen në grevë urie, ndërkohë që një akt tjetër mund të jetë edhe rrethimi i kryeministrisë dhe moslejimi i zyrtarëve të hyjnë brenda.
“Unë jam i gatshëm, e kam thënë dhe simbolika e rrethimit të kryeministrisë ishte më protestu. Unë kam qenë pjesë e atyre protestuesve, atë ditë që është rrethuar e gjithë kryeministria. Çka tregon? A mund të avancojmë më tepër? Patjetër. Unë nuk jam për të dhënë këshilla protestuese, por mund të jetë që një 24 orësh të gjithë protestuesit edhe rrethimi në 24 orë në ditë pune, që mos të lejosh zyrtarët e kryeministrisë dhe zyrtarët e tjerë që të futen në kryeministri është një element shumë i rëndësishëm që jep një simbolikë. Sepse simbolikat e protestës në vetvete ka sensibilizuar të gjithë mediat ndërkombëtare dhe po të shohësh edhe presioni i Bashkimit Europian. Unë jam që një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike, patjetër që të ngujohen. Një pjesë tjetër të merret me organizimin. Po mund të jenë ata që kanë më tepër elektorat mund të dalin në zonë ose ata që duan me humb kile mund të qëndrojnë në grevë. Po duhet një sakrificë”, tha Gjoni në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Deputeti demokrat foli edhe për debatet e brendshme në PD, duke pranuar se ka shprehur kritika në forumet drejtuese, por shtoi se ato shpesh dalin në media për shkak të personave që, sipas tij, përcjellin informacion te gazetarët.
"Të jeni të sigurt që shumë gjëra që thuhen brenda forumeve dhe dalin sepse ka nga ata që mbajnë edhe telefonat aty brenda për të dhënë ndonjë lajm për gazetarët. Po tani gjithmonë kanë ekzistuar spiunat”, deklaroi ai.
Gjoni tha se Partia Demokratike duhet të bëhet një forcë konkurruese për qeverisjen dhe tha se do të jetë kritik ndaj drejtimit të saj, nëse nuk merren parasysh disa ndryshime në strukturat e partisë.
“Problemi është që në rast se Partia Demokratike nuk bëhet forcë konkurruese për të qeverisur, pa dyshim që do jetë një dobësi shumë e madhe edhe për gjithë demokratët edhe për njerëzit të cilët na mbështesin, edhe për pjesën e atyre të cilët dalin dhe kanë të njëjtat kërkesa me ne. Ka një elektorat i cili e mbështet, ka një elektorat i cili do që të ketë një ndryshim, ka një elektorat i cili është në shumicë dhe unë kontaktoj përditë edhe në protestë edhe në zonë edhe në parlament edhe gjithkund njerëz në rrugë. Janë tre-katër figura të cilët po të takosh të gjithë njerëzit thonë prapë me Gjinin juve, prapë me Qafokun juve. E ke parasysh se janë ca figura që nuk tërheqin. Po le t'i nxjerrë në shesh”, theksoi Gjoni në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Lidhur me reformën në drejtësi, ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike kundër zgjatjes së mandateve të prokurorëve të SPAK, duke argumentuar se kjo kërkon ndryshime kushtetuese.
(A2 Televizion)