“Sot thuajse nuk ka pasur. Kanë qenë shumë rrallë. Kam mbi 10 minuta që pres dhe ende nuk ka ardhur askush,” shprehet një qytetare që pret linjën e Shkozës.
Për disa 10 minuta apo një çerek ore dhe për të tjerë 20 e më shumë minuta, udhëtarët në Tiranë po presin më tepër se zakonisht nëpër stacione. Nga kjo e hënë, linjat e transportit urban po punojnë me kapacitete të reduktuara.
“Kam çerek ore madje 20 minuta. Po ça të bësh, ku ta kërkosh të drejtën. Po herë ka e herë s’ka. Jemi në Shqipëri, kështu që...”
Pritja e gjatë ka bashkuar me vuajtësit gati të përhershëm të kryeqytetit Saidin me Ivonën, dy të rinj nga Algjeria e Gjermania që prej një jave po qëndrojnë në Tiranë.
“Po ka ca që presim. Isha edhe dje këtu edhe e njëjta gjë.”
“Kemi 10 minuta që presim. Nga këto do të shkojmë te terminali i autobusëve dhe më pas në Durrës”, thotë Ivona nga Gjermania.
Unioni i Transportit Publik e argumenton vendimmarrjen me situatën e vështirë financiare që operatorët po kalojnë, ndonëse sot çmimet e karburanteve janë ndjeshëm më të lira se një vit më parë.
“Nëse ne do të nxirrnim të gjithë flotën në qarkullim, nuk do të mundeshim për shkak se nuk kemi financa për të paguar punonjësit dhe naftën. Kjo situatë ka ardhur për shkak të veshit të shurdhër të institucioneve,” deklaron Dashnor Memaj.
Në një kohë që operatorët e transportit publik përsërisin vendimmarrjet e tyre, me institucionet që ende nuk kanë reaguar, pyetja që qytetarët shtrojnë sot është kjo: Deri kur do të vazhdojnë kapacitetetet e reduktuara?
“Reduktimi i flotës zgjatës për aq kohë sa mund të mbajnë operatorët. Në rast se nuk do të ketë reagim nga institucionet, shërbimi do të shkojë drejt mbylljes pasi mundësitë financiare këto janë,” shpjegon Kostandin Foni nga Unioni i Transportit Publik.
Transporti publik në Tiranë aktualisht është i përbërë nga 11 operatorë që zotërojnë 16 linja të ndryshme me 311 urbanë në total.
Sipas matjeve të vetë operatorëve, shërbimi i transportit publik frekuentohet mesatarisht nga 200 mijë qytetarë çdo ditë, 64.7 për qind e të cilëve paguajnë biletën 40 lekëshe për çdo udhëtim që kryejnë. (A2 Televizion)