Kontratë ose tarifë e plotë, Sallabanda: 5 vjet janë shumë, duhet një politikë gjithëpërfshirëse

Nga A2 CNN
20 Korrik 2023, 21:36 | Sociale
Kontratë ose tarifë e plotë,  Sallabanda: 5 vjet janë

Mjeku Kita Sallabanda është shprehur se politika me mjete shtrënguese, siç po ndodh me rastin e studentëve të mjekësisë, nuk është rruga e duhur për t’i dhënë fund fenomenit të largimit të mjekëve nga vendit. I ftuar në A2 CNN, në emisionin “Debat” nga Alba Alishani, Sallabanda është shprehur se të detyrosh studentët që të punojnë në Shqipëri për një periudhë 5 vjeçare është shumë, duke thënë se duhet të ketë ndryshime në projektligjin që është propozuar në Kuvend duke e bërë maksimumi këtë periudhë në 3 vjet.

Nga ana tjetër, ai është i mendimit, se duhet të ketë një politikbërje gjithëpërfshirëse, pra që të gjendet një mekanizëm jo vetëm se si të mbajnë studentët në vend, por edhe t’u ofrojnë atyre kushte më të mira të punës apo mundësi për rritje në karrierë.

“Në Shqipëri numri i mjekëve për 100 banorë është 2, Spanja e ka 6, BE më lart. Mund të përmirësohet ky ligj, unë mendoj se 5 vjet janë shumë, unë do e kisha mbajtur 2-3 vjet, dhe ky ligj duhet të ishte diskutuar shumë hapur me studentët, unë kam pasur komunikime me studentë dhe kam menduar që rruga nuk është vetëm masa shtrënguese, por edhe pedagogji. Jemi në moment kritik, kjo është padyshim fakt. Duhet t’u krijojmë kushte mjekëve që punojmë, nga një krah që t’u kërkojmë që të plotësojnë kërkesat e vendit për shërbim shëndetësor dhe nga ana tjetër t’u plotësojmë edhe kërkesat e tyre për formim mjekësor për të ecur përpara në jetë, kështu që duhet të jetë një politikë e gërshetuar.

Kam pasur mesazhe nga studentë që thonë se e ndjejnë veten të papërgatitur kur dalin nga shkolla, pra duhet bërë një politikë e tërë, jo vetëm me masa shtrënguese, Izraeli ka të njëjtën problem të mjekëve, Australia ka marrë gjithashtu masa shtrënguese, Irlanda, dhe Gjermania, kjo e fundit po përdor metoda kufizuese, ky është një problem jo vetëm i Shqipërisë, në Spanja ka masa favorizuese, jo shtrënguese”, tha mjeku në A2 CNN.

Sipas projektligjit të propozuar nga mazhoranca dhe dërguar në Kuvend për miratim, studentët e mjekësisë duhet të zgjedhin midis një kontrate 5-vjeçare me qeverinë, apo të paguajnë më shtrenjtë për arsimin e tyre.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri