KQZ certifikon rezultatin, PS zyrtarisht fituese e zgjedhjeve, opozita nuk njeh procesin

Nga A2 CNN
7 Gusht 2023, 12:38 | Politikë
KQZ certifikon rezultatin, PS zyrtarisht fituese e zgjedhjeve, opozita nuk njeh

U deshën gati tre muaj nga organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme vendore që të miratohej rezultati përfundimtari tyre nga ana e KQZ-së. Komisioni Rregullator aprovoi tabelat përmbledhëse vendoreve të 14 majit ku tani më socialistët zyrtarisht janë fitues të 53 bashkive në vend, ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë të 7 njësive vendore. Numri 61 plotësohet nga Partia MEGA e cila fitoi njësinë minoritare të Finiqit. 

Procesi elektoral i 14 majit mund të konsiderohet një fotokopje e së shkuarës, të paktën nga ana e klasës politike. Krahas problemeve tashmë rutinore me komisionerët e partive, mosbesimi i palëve tek procesi, harku kohor nga fushata elektorale e deri në ditët e zgjedhjeve u karakterizua me akuza të forta ndërmjet kundërshtarëve politikë, të cilat ngjasonin më shumë si material për Prokurorinë e Posaçme sesa programe për qytetarët.

Por ndryshe nga e shkuara, në këto zgjedhje socialistët ishin më komod, kishin përball një opozitë të ndarë në copëza si me ligjin 7501. Ai që mbajti vulën e PD-së ishte Enkelejd Alibeaj që kishte kundërshtar atë që mbajti Selinë e PD-së, Sali Berishën e jo rivalin politik Edi Ramën.

Kriza politike brenda opozitës prodhoi një rezultat të shkëlqyer për të majtën, aq sa arritën të fitonin edhe Bashkinë e Shkodrës, territor i pa qeverisur më parë nga socialistët në 32 vite demokraci. Me 53 flamuj të ngritur në 53 njësi vendore, e majta arrit të prodhonte një rezultat gati të ngjashëm me atë të vitit 2019 ku opozita nuk mori pjesë.

Por siç e do tradita politike shqiptare, rezultati duhet kontestuar deri në fund. Një mori ankimesh u depozituan pranë KQZ që në vetvete sollën një zhvillim të ndryshëm nga proceset e shkuara, përsëritje të zgjedhjeve në bashkinë e Rrogozhinës, që ishte edhe një nga shkaktarët kryesorë të vonesës së nxjerrjes së rezultatit. Përsëritja e të cilës vetëm thelloi avantazhin e kandidatit socialist. Nga 21 vota, diferenca shkoi në mbi 1700 të tilla çka mbajti të fiksuar numrin 53 për të majtën.

Pavarësisht së gjithave, ky proces pati disa risi. Fredi Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës duke qenë në qelitë e paraburgimit nën akuzë për shitblerje votash dhe vijon të jetë aty duke pritur ditën e gjykimit. Safet Gjici e mbajti për vetëm 10 ditë detyrën si kryebashkiak i Kukësit pasi u shkarkua nga qeveria pë rshkak të videoskandalit me Alma Kaçin.

Por se sa të mira kanë qenë këto zgjedhje, politika ka zgjedhur që ta thonë ndërkombëtarët. OSBE ODIHR në raportin paraprak pas procesit zgjedhor, nuk tha fjalët më të mira dhe pritet me mjaft interes raporti përfundimtar, ku historia ka treguar se përmbajtja e tij ka qenë gjithmonë ushqim për politikën shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos