Krasniqi: Dekriminalizimi, janë larguar rreth 500 persona. Penalizimi i vërtetë duhet të jetë për partitë

Nga A2 CNN
30 Tetor 2019, 11:05 | Aktualitet

Dekriminalizimi është një nga kryefjalët më të diskutuara të politikës shqiptare të momentit. Procesi ka patur rezultate, por edhe shumë aspekte në dritëhije, të evidentuara nga raste si ai i Kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Sipas drejtorit të ISP-së dhe analistit të A2 Afrim Krasniqi, të dhënat, edhe pse pjesore, tregojnë për një numër gjithmonë e më të madh të personave të larguar në bazë të këtij ligji. “Sipas të dhënave tona, të marra nga Departamenti i Administratës Publike, 190 nëpunës civil janë larguar për shkak të dekriminalizimit”, por thotë se shifrat zyrtare nuk tregojnë, nga momenti që nuk përfshihen ato figura që nuk kanë statusin e nëpunësit civil, “aty ku shifra tejkalon 500 personat”, Jo të gjithë këto persona, saktëson Krasniqi, kanë një të kaluar kriminale, statistikat përfshijnë edhe ata që kanë patur pasaktësi të theksuara në vetëdeklarimit e tyre. Pra problem qendror mbetet fakti se shteti nuk ka një databazë të plotë të këtyre personave, që t’i filtrojë duke i penguar angazhime të mëtejshme në administratën publike. “Problemi është i sistemit të administratës publike, ku secili institucion publik funksionon si entitet i pavarur, punëson personat që do vetë. Ndërkohë, në pjesën politike, çdo kandidat për deputet ose kryetar bashkie është emëruar nga piramide qendrore në Tirane, pa filtrim paraprak vendor”, thotë Krasniqi, duke shtuar se “ka patur raste që ambasada të huaja kanë dërguar raporte paraprake mbi disa nga këto kandidatë, dhe ato sërish janë kandiduar”. Krasniqi tregon se mungesa e vullnetit politik në këtë çështje tregohet edhe nga një e dhënë domethënëse. “Në 2015 partitë bënë sakrifica, PD tërhoqi disa kandidatë në Kurbin dhe Këlcyrë, të njëjtën gjë e bëri PS nga lista kryesore. Dhe atëherë ishte me i vështirë identifikimi i këtyre personave. Kjo gjë nuk ndodh sërish në 2019”. Për këtë arsye, sipas tij, përtej dënimit individual, penalizimin e vërtetë duhet ta marrin partitë politike. “Nëse unë shkoj kandidat në një zonë dhe partia ka dalë garant për mua, duke thënë se jam kandidati më i mirë, subjekti që ka dalë garant për mua duhet të ketë të paktën penalizim financiar dhe administrativ”, përfundon analisti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos