Kriza e çmimeve, Bode: Qeveria mund ta ndihmojë ekonominë me politika sektoriale, jo populiste

Nga A2 CNN
5 Maj 2023, 21:16 | Ekonomi
Kriza e çmimeve, Bode: Qeveria mund ta ndihmojë ekonominë me

Ekonomia aktualisht ndodhet në një moment ristrukturimi të fuqishëm. Ky ristrukturim vjen si pasojë e atyre që kanë ndodhur në botë në dy vitet e fundit, nga pandemia te rritja e çmimeve të lëndëve të parë, të ushqimeve dhe fuqisë punëtore.

Dhe, sipas ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode ndoshta ky është pikërisht momenti që qeveritë të bashkëpunojnë me bizneset për të kuptuar se cilët janë elementët potencialë të vendit që mund të jenë më të lehtë për t’i ristrukturuar.

I ftuar në A2 Business, anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë shpjegoi se në kushtet që gjendet sot, ekonomia në një periudhë 1-2 vjeçare do të ristrukturohet në një formë tjetër.

Dhe, i pyetur se çfarë duhet të bëjnë qeveritë për të menaxhuar më mirë këtë situatë të re, Bode thotë se në fakt kjo nuk është një çështje e politikave të qeverisë. Kjo e fundit vetëm mund ta ndihmojë procesin.

Si shembull, Bode sjell bujqësinë si një nga degët e ekonomisë.

Konjuktura e re e çmimeve e bën më të favorshëm aktivitetin bujqësor, industritë agro-ushqimore. Tregu i nesërm do të mbetet në nivele të larta, në krahasim me periudhën para krizës. Në rastin e bujqësisë mund të merret në konsideratë që segmente të caktuara, produkte të caktuara, aktivitetet të caktuara të bëhen rentabël dhe të futen në tregun ndërkombëtar.”

Sipas tij, qeveria duhet të veprojë në mënyrë të zgjuar dhe të subvencionojë prodhime që futen në treg.

“Mund të ishte një moment kur mund të përfitonin nga kjo konjukturë e re e çmimeve në tregun bujqësor,” shton ai.

Zoti Bode thekson se duhet ecur në mënyrë më të mençur dhe jo populiste. Për të qenë më pranë ekonomisë dhe për të hapur perspektiva në ato sektorë që do të kenë një të ardhme më të garantuar.

Ish-ministri i Financave thekson se qeveria mund të ndihmojë duke mbajtur nivelin e taksave të ulët, duke ndjekur politika të veçanta sektoriale dhe duke dhënë ndihën e saj pa prishur lojën e tregut dhe pa nxitur aktivitete ekonomike që nuk kanë të ardhme.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi