Legalizuan pronat mbi rrugën, kërkohet pezullim nga detyra për 9 punonjës të ish-ALUIZNI-t dhe IMT në Durrës

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 12:36 | Kronikë
Legalizuan pronat mbi rrugën, kërkohet pezullim nga detyra për 9

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar nga gjykata pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit për nëntë punonjës të ish-agjencisë së ALUIZNI-t.

Grupi i personave në fjalë akuzohen për "shpërdorim detyre" dhe "moskallëzim krimi".

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin në vitin 2013, ata kanë legalizuar disa pasuri në Xhafzotaj, të cilat janë ngritur mbi një sipërfaqe toke që nga “Kadastra” kategorizohet si “Rrugë” dhe është pronë shtetërore.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka regjistruar procedimin penal nr.22 të vitit 2021 ndaj shtetasve M. I., M. K., H.H., A.M., D.Z., M. Sh., J.K., G.K. dhe M.T., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim i krimit” të parashikuara nga nenet 248 e 25 dhe 300 të K.Penal.

Nga hetimet rezultoi se në vitin 2013, punonjës të ish-Aluizni-t Durrës kanë legalizuar disa pasuri të ndodhura në komunën Xhafzotaj, pjesë të të cilave ndodhen të ndërtuara mbi pasurinë e cila ka një sipërfaqe 2184 m2 dhe kategorizohet në zërin kadastral “Rrugë” me status juridik “shtet”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.

Gjithashtu, sqarohet se punonjës të IMT-së Shijak kanë marrë vendime prishjeje të cilat nuk janë ekzekutuar, si dhe nuk kanë depozituar kallëzime penale në lidhje me ndërtimet e paligjshme që kanë konstatuar.

Shtetasi A.K. me detyrën e Drejtorit të bordit të ndërmarrjes kanalizmieve, ka konsumuar elementet e veprës penale te “Shpërdorimit të detyrës” pasi me shkresen nr.158/1 prot datë 26.03.2015, i ka kthyer përgjigje Drejtorisë së Aluizit Durrës, ku informonte se objekti i shtetasit F. H., nuk cënon objektet, sistemin kullues që Bordi i Kullimit Durrës –Krujë ka në inventar”, bëhet me dije në njoftim.

Sakaq, kërkesa e organit të akuzës për pezullim nga detyra, është pranuar nga togat e zeza vetëm për 4 prej punonjësve që kanë abuzuar me postin e tyre.

Me vendimin e datës 24.05.2023 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi të konfirmojë masën shtrënguese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasve H.H D.Z M.SH dhe G.K. Të revokojë masën “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasve M.K., M.I., J.K. dhe të deklarojë të pa pranueshme kërkesat për shtetaset A.M dhe M.T.”, nënvizohet në njoftim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos