Mjafton qoftë edhe një vëzhgim sipërfaqësor i historisë, për të kuptuar se që nga fillesa e njerëzimit, mbrojtja dhe siguria gjendeshin në vendin e dytë në piramidën e shkallëzimit të nevojave njerëzore, menjëherë pas plotësimit dhe garantimit të mbijetesës.
Edhe sot, qindra-mijëra vite më pas, “siguria”, pavarësisht llojit të rrezikut konsiderohet si kryefjala, fjala kyçe e të gjitha veprimtarive njerëzore, në të gjithë segmentet e shoqërisë, përfshirë organizatat publike e botën e biznesit.
Nëse nuk do të kishte qenë për shkallët e ngushta të emergjencës, problemet në sistemin zjarrfikës e sidomos me përgatitjen e punonjësve për situata zjarresh e fatkeqësish të tjera, vdekjet në Qendrën Botërore të Biznesit si pasojë e sulmeve të 11 shtatorit do të kishin qenë më të ulëta, vlerësojnë dy dekada më pas ekspertë të sigurisë së godinave. Nga e shkuara mund të nxirren mësime tejet të vlefshme.
“Nuk po binte shi kur Noe ndërtoi arkën”. Kjo thënie, një miks simbolikash që pikë të përbashkët ka para-përgatitjen, gjen zbatim edhe sot. Evakuimi bëhet në një pikë të caktuar. Kjo për të parë nëse mungon apo jo njeri.
Në këtë kontekst, duke mos përjashtuar në asnjë rast rolin që luan individi, i cili përbën një potencial të rëndësishëm për sigurinë, Aba Business Center zhvilloi një simulim zjarri me qëllim ndërgjegjësimin e atyre që bashkëjetojnë në qendrën e biznesit aktive më të lartë në Tiranë, 83 metër, e përbërë nga 21 kate mbi tokë e 3 nën tokë në një sipërfaqe prej rreth 30 000 m2.
Siguria nuk mjaftohet vetëm me mbrojtjen, sigurinë individuale, atë kolektive dhe pasjen e teknikës së nevojshme, por në radhë të parë, me një përdorim dhe koordinim korrekt dhe efikas të infrastrukturës me burimet njerëzore. “Në përfundim mund të themi që kemi dhënë më shumë informacion se si qytetarët, punonjësit, institucionet, jo vetëm shtetërore duhet të veprojnë në raste emergjence. Kjo për ne është shumë e rëndësishme sepse sado shpejt të vijë shërbimi zjarrfikës apo shërbimet e tjera, reagimi fillestar mbetet më shumë se i rëndësishëm”, tha Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë. “Ne pamë që të gjitha strukturat Brenda ndërtesës i dhanë një rëndësi shumë të madhe evakuimit. Procesi u krye në një kohë shumë të shpejt”, thotë Arian Ahmetaj, Shërbimi zjarrfikës Tiranë.
Nuk ka ndodhur kurrë që një gjë të jetë e përsosur në pak kohë, Ndaj përsëritja është çelësi drejt hapave të sigurt. “Është finalizimi i një pune e cila është më shumë se sa 10-vjeçare. Për ne, ky organizim për të përballuar situata të tilla është ngritur prej kohësh brenda godinës. Përpiqemi çdo herë që të ndërgjegjësojmë qiramarrësit e godinës dhe kemi arritur të krijojmë një ekip kompakt i cili angazhohet në mënyrë sinkrone për të kryer veprimet për të parandaluar e ndërkohë për të mbrojtur veten e tyre, jetën e pjesëtarëve të tjerë dhe pronën që është detyrimi ynë i përbashkët”, thotë Arian Sioimeri, zv/menaxher i ABA Business Center.
Vetëm në Tiranë vitin që shkoi u regjistruan plot 2 mijë e 160 zjarre, 180 në muaj apo 6 vatra flakësh çdo ditë, kryesisht në banesa, po pa kursyer edhe godina të tipologjive të tjera. Ndaj, përgatitja për mbrojtje, mbetet ligji më i vyer natyrës për t’u zbatuar. Në Aba Business Center besohet se nuk mjafton vetëm që të kemi cilësi të mira, duhet edhe t’i menaxhojmë. Armiku më I madh i çdo kompanie është vetëkënaqësia. Ndaj, e gjatë është rruga e të mësuarit përmes teorisë, e shkurtër dhe e frytshme përmes shembullit. (A2 Televizion)