Me kë janë serbët, me Rusinë apo me Perëndimin?

Nga A2 CNN
3 Mars 2023, 10:26 | Ballkani
Me kë janë serbët, me Rusinë apo me Perëndimin?

Marrëveshja në tentativë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë këtë javë, shënon një fitore të fshehur për perëndimin, i cili po përballet me Moskën për ndikimin në Beograd.

Që kur Vladimir Putin nisi luftën e plotë në Ukrainë, thuajse 1 vit më parë, ndjesitë pro-Rusisë, shpërthyen në rrugët e Serbisë.

Bluza me shkronjën Z, simbol i fushatës së agresionit, shiten si suvenirë, ndërsa grupe të së djathtës ekstreme mbështesin haptazi Rusinë.

“Prania ruse nuk perceptohet në kuptimin e afirmimit të kulturës së këtij vendi, mënyrës së jetesës, arsimit apo shkencës, por vërehet forcimi i kësaj ndjenje gjatë kohës së krizës, apo kur flitet për ngjarje politike të lidhura me perëndimin, e ku Moska shihet si rrugëdalje”, shprehet historiani Aleksandar Zivotic.

Presidenti Aleksander Vuçiç, i cili përpiqet të ruajë balancin e ndërlikuar mes lidhjeve të thella kulturore e fetare me Rusinë nga njëra anë, dhe ambicieve për t’iu bashkuar BE-së nga ana tjetër, ka bërë shumë pak për t’iu kundërvënë agjitacionit, me frikën se do të humbasë mbështetjen popullore.

Por pas demonstratave pro-ruse në rrugë, Perëndimi po bën hapa të padukshëm për të zgjeruar lidhjet tregtare me Serbinë, për të reduktuar varësinë e saj nga energjia ruse dhe për të zbutur tensionet me Kosovën.

Për më shumë se dy dekada, Kremlini ka qenë aleati i madh i Serbisë në kundërshtimin, fillimisht të revoltës popullore, e më pas pavarësisë në 2008. Një normalizimim i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit do të reduktonte ndikimin e Moskës ndaj Serbisë.

“Ndikimi rus këtë është shumë primitiv. Nuk është edhe aq shumë ekonomik, edhe pse energjia është ende e rëndësishme për Rusinë dhe Serbia është një treg i rëndësishëm për gazin dhe naftën ruse. Më e rëndësishme për Rusinë është që Serbia nuk është ende në NATO dhe BE, dhe synimi i saj është t’i mbajë gjërat kështu siç janë”, thotë Maksim Samorukov.

Duke mos dashur të armiqësojë BE-në, Beogradi ka dënuar pushtimin rus në OKB dhe forume të tjera globale, ka njohur kufijtë e paraluftës në Ukrainë, ka dërguar ndihma financiare dhe infrastrukturore, si dhe ka mirëpritur refugjatë të konfliktit.

Një kthesë pa zhurmë po merret edhe në sektorin e energjisë. Serbia është mbështetur thuajse plotësisht në gazin e lirë rus dhe prodhuesi kryesor i naftës NIS, është në pronësi të Gazprom dhe Gazpromneft. Por vitin e kaluar, Serbia ndali importin e naftës së papërpunuar të Rusisë në një linjë me sanksionet e BE-së, duke kaluar kryesisht te furnizimet irakiane dhe duke punuar me Bullgarinë për ndërtimin e një gazsjellësi që do të çonte gazin e lëngshëm nga Greqia në Turqi.

“Përmes funksionimit të gazsjellësit bullgar dhe importit të gazit të lëngshëm nga Greqia, do të ulet nevoja për të importuar gaz nga tregu rus. Megjithatë, kjo padyshim nuk do të mjaftojë për të plotësuar të gjitha nevojat e tregut serb, kështu që do të duhen importe shtesë të gazit rus. Megjithatë, nuk besoj se Serbia do të ketë ndonjë problem, vetëm nëse Moska do të vendosë të ndërpresë furnizimet. Por nuk besoj se kjo do të ndodhë."

Por me gjithë zhvendosjen drejt perëndimit, ndjesitë pro ruse mbeten të rëndësishme në politikë dhe rrugë. Gati 80 për qind e serbëve i kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë, sipas një sondazhi të zhvilluar në 2022-shin nga Demostat.

Kur studenti rus Ilya Zernov u përpoq të fshinte grafitin me shkrimin “Vdekje Ukrainës!" në një mur të Beogradit, ai u rrethua nga një grup djemsh, që njihen si ultranacionalistët serbë pro-rusë.

“Ai më zuri në befasi, nxori thikën dhe nisi të më kërcënonte. Deshi që unë të kërkoja falje që po prishja grafitin, por kur refuzova më qëlloi me grusht në vesh.”

Cedomir Stojkovic, një avokat dhe aktivist me bazë në Beograd, grupi i të cilit ka publikuar një listë të serbëve që janë mbështetës të zëshëm të Rusisë, tha se Serbia ishte nën pushtimin hibrid të Moskës.

 “Aktualisht, ndikimi hibrid është tejkaluar prej kohësh. Që prej 2014, ne kemi një pushtim hibrid”.

Stojkovic ka ngritur padi kriminale kundër ambasadorit rus dhe kreut të shërbimit të sigurisë në Serbi mbi ndikimin e grupit mercenar Vagner në shtetin ballkanik.

Kjo influencë e cila zgjatet përmes mediave, me Russia Today dhe Sputnik që vijojnë të operojnë në rusi edhe pse janë ndaluar ne vendet e tjera europiane, dhe me të paktën 3 gazeta që mbështesin haptazi kauzën e Kremlinit.

https://a2news.com/2022/05/12/a-eshte-serbia-masha-e-rusise-ne-ballkan/
https://a2news.com/2023/03/02/eurodeputeti-karota-deshtoi-nxirrni-shkopinjte-ndaj-serbise/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi